Arbëri

Kurti: Vuçiqi e Putini tani marrëveshjet i arrijnë me telefon

Foto: Reuters

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi pas dakordimit që presidenti rus, Vladimir Putin, e arriti me atë serb, Aleksandar Vuçiq, për ta furnizuar Serbinë me gaz natyror.

Kurti shkroi nw Twitter të dielën mbrëma, se Putini e Vuçiqi nuk kanë më nevojë të takohen pasi marrëveshjet tani i arrijnë nëpërmjet bisedave telefonike.

“Ata as nuk kanë nevojë të takohen më: marrëveshjet midis Putin dhe Vuçiq tani arrihen përmes bisedave telefonike”, shkroi në Twitter, derisa bashkëngjiti një bisedë që Vuçiq e Putin e patën bërë më 25 nëntor 2021.

“Fola për standarde të dyfishta dhe hipokrizinë e shpeshtë në marrëdhënie ndërkombëtare. Presidenti Putin e kupton për çfarë po flas, por ai kërkoi nga unë për shpjegime të mëtutjeshme andaj ne folëm për veriun e Kosovës dhe ia tregova atë edhe në hartë”, kishte deklaruar Vuçiq.

Serbia është ndër vendet e vetme në Evropë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, pas invazionit në Ukrainë. Sipas dakordimit të fundit, ajo do të furnizohet pandërprerë me gaz natyror rus dhe me çmim më të ulët se shtetet tjera, sipas Vuçiqit.

“Është zhvilluar bisedë telefonike ndërmjet presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Është rënë dakord, ndër të tjera, që Rusia të vazhdojë furnizimet e pandërprera të gazit natyror në Serbi”, u tha në njoftimin e Kremlinit të dielën.