Arbëri

Raport i KTV-së për anulimin e kontratës për dhënin në shfrytëzim të kalasë së Vushtrrisë

Është anuluar kontrata për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë. Drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Agim Gërguri, ka konfirmuar për KTV-në se procesi do të nisë nga e para, raporton KTV.

“Kontrata është anuluar momentalisht, do të rishqyrtohet plani se si do të menaxhohet kalaja dhe opinioni do të njoftohet me kohë” , ka thënë Gërguri. Ndërkohë, këtë vendim e ka mirëpritur iniciativa "Qytetarët në Mbrojtje të Kalasë".

“Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve më në fund i është dorëzuar presionit të qytetarëve dhe ka shkëputur njëanshëm kontratën me Mentor Salihun, dajën e kryetarit Bajram Mulaku nga radhët e PDK-së, të cilit pati vendosur t’ia japë Kalanë për ta bërë restorant. Me këtë rast, ne si grupi i iniciativës qytetare ‘Qytetarët në Mbrojtje të Kalasë’, iu themi të gjithë qytetarëve, urime për fitoren tuaj,”, ka thënë Leonora Aliu, përfaqësuese e kësaj iniciative.

Në një konferencë, Aliu ka thënë se kërkojnë që çdo veprim i Institutit, Ministrisë së Kulturës, Komunës së Vushtrrisë, e cila mbetet sipas saj bashkëfajtore për çka do që i ndodh Vushtrrisë, që të jetë në harmoni të plotë me kërkesat e tyre. Kërkesa kryesore e Iniciativës është që kalaja të jetë e hapur për shfrytëzim nga qytetarët e saj.