Arbëri

“OriginAL” do t’i rikthejë të rinjtë e diasporës për ta njohur më mirë Kosovën

Sihana Bejtullahu nga organizata "Germin" ka folur për projektin “Find your Roots” i cili synim ka të rinjtë e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

Ajo në emisionin “SOT” në KTV ka thënë se me anë të këtij programi të rinjtë në diasporë do të qëndrojnë dy javë dhe do të vizitojnë vende të ndryshme.

Sipas saj, ata do të kenë mundësinë që edhe mes vete të shoqërohen dhe t’i ndajnë brengat me njëri-tjetrin.

“Thirrja është hapur për të gjithë ata që kanë dëshirë të jenë pjesë e programit. Një nga kriteret është që të kenë njohuri bazike për gjuhën shqipe. Kusht tjetër është që të mos kenë jetuar në Kosovë apo Shqipëri ndërkaq mosha është nga 18 deri në 24 vjet. Thirrja do të jetë e hapur tri javë. Komisioni do t’i selektojë 40 persona që do të marrin pjesë në këtë projekt. Ne kemi shqiptarë që jetojnë jashtë, por është mirë që t’i dinë rrënjët e tyre”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se ky projekt është dizajnuar në formën që të jetë atraktiv dhe të krijohen lidhje.

Sipas saj, ideja është që këta të rinj që kthehen në vendet e tyre dhe ta njohin Kosovën.

Bejtullahu ka thënë se ata do të aterojnë në Prishtinë dhe do të kthehen në vendet e tyre nga Tirana. Ajo ka thënë se do të vizitojnë qendrat kryesore historike dhe do të ketë edhe jetë të natës dhe punë vullnetare ku ata do të kontribuojnë.

“Ne do të vizitojmë edhe organizata tjera rinore dhe do të kenë mundësinë që të shkëmbejnë përvojat e tyre me njëri-tjetrin. Dje kemi hapur thirrjen dhe kemi marrë disa aplikime. Nga 10 gushti do të mbahet ‘Origin AL’”, ka thënë ajo.