Arbëri

Gërvalla në Austri flet për sigurinë në Ballkanin Perëndimor pas luftës në Ukrainë

Descriptive Text

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë vizitës zyrtare në Austri, ku është takuar me Ministren Federale të Austrisë për Çështje të Bashkimit Evropian, Karoline Edtstadler, ka diskutuar për çështjet e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas agresionit rus në Ukrainë.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Ministria e Jashtme, gjatë takimit Gërvalla ka theksuar faktin që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Në takimin me ambasadorët e shteteve të QUINT-it në OSBE, Gërvalla falënderoi ambasadorët për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës në kuadër të mekanizmit të OSBE-së, dhe shprehu interesimin e Kosovës për të qenë sa më e pranishme në të gjitha mekanizmat dhe organizatat ndërkombëtare.

“Ajo i njoftoi ambasadorët rreth procesit të nisur të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, përmbushjes së vazhdueshme të gjithnjë e më shumë kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe nevojën për një liberalizim të menjëhershëm të vizave”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.