Arbëri

Digjet raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit në Shqipëri

Descriptive Text

Opozita nuk propozoi sot asnjë kandidat për presidentin e Republikës, duke e çuar në dështim edhe raundin e dytë të procesit për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë.

Mazhoranca i dha të drejtën opozitës të japë propozimet në raundin e dytë dhe të tretë, duke hequr vetë nga kjo e drejtë. Por, sipas Enkelejd Alibeajt, socialistët prishën marrëveshjen dhe për pasojë sot në Kuvend nuk dorëzuan asnjë emër.

Në deklaratën e dhënë për mediat në përfundim të seancës parlamentare, Alibeaj u shpreh se president duhet të zgjidhet dikush që miratohet nga të gjitha palët, në mënyrë që kur të jetë në drejtimin e shtetit, të mos bëhet peng i askujt.

“Detyrimi i deputetëve është të jep legjitimitetin e duhur atij që do të jetë president i Republikës. Sot, çfarë kemi bërë ne? Në mënyrën më fisnike, kemi marrë pjesë në këtë proces, e kemi parë dëgjuar lexuar, kemi dhënë kontributin tonë për të dhënë një president mbi palët. Nuk duhet të jetë president i dyve që luajnë tango. Marrim pjesë në proces. Me të drejtën e Zotit dhe bazuar në raportet e OSBE/IDIHR mund të thoshim që presidentin e duam ne si opozitë. Por dolëm përtej, për ta zgjedhur jo si lojë tangoje, por që të jetë president që të marrë mbështetjen e palëve politike, që nesër të mos jetë peng i asnjërit”, tha Alibeaj.

“Mos të jetë në atë vend jo për shkak të tangove, por për shkak të virtyteve që ka treguar në të shkuarën”, duke replikuar mbi deklaratën që dha më herët kryeministri Edi Rama kur tha se “duhen dy për tango, nuk mund të bëjmë tango vetë, nuk kemi partner“, duke nënkuptuar se presidenti nuk mund të zgjidhjet pa marrëveshje mes dy palëve politike./TCH