Arbëri

Çështja e ligjit të luftës që Greqia e ka me Shqipërinë shumë shpejt drejt zgjidhjes

Olta Xhaçka me Nikos Dendiasin

Çështja e ligjit të luftës që Greqia e ka me Shqipërinë shumë shpejt pritet të zgjidhet. Kështu premtoi në vizitën e tij në Tiranë, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias.

Ai tha se do të fillohen procedurat për anulimin e ligjit, që daton që nga viti 1940, kur Italia e Benito Musolinit sulmoi Greqinë nga territori i Shqipërisë të cilën e kishte pushtuar.

Sipas kryediplomatit grek, dy vendet duhet të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, që kjo çështje të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur. Sa i përket çështjeve së pensioneve dhe njohjes së tyre nga shtetit grek, ministri Dendias tha se është e rëndësishme që është rënë dakord që të vendoset një itinerar për zgjidhjen e kësaj çështje.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp pas takimit me Dendias, ministrja e Jashtme e Shqipërisë , Olta Xhaçka, tha se temë e diskutimit ndërmjet tyre, ishte edhe çështja e pronave çame.

Xhaçka tha se ekziston vullneti i mirë për t'i dhënë zgjidhje kësaj çështje.

“Vendet tona mike mund të fillojnë diskutimet edhe për çështje sado të vështira që kemi trashëguar nga historia e nga periudha tragjike e Luftës së Dytë Botërore, siç është çështja e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut të komunitetit çam”, tha ministrja Xhaçka.

Por ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias u shpreh lidhur me çështjen e pronave të çamëve në Greqi se kjo çështje nuk ekziston, por kjo kërkesë mund të çojë në pasoja të shumëfishta ku Greqia do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në Evropë.

"Marrëdhëniet tona janë zhvilluar shumë mirë, madje abrogimi i ligjit të luftës është diçka që duhet të shkëputemi, e të bashkëpunojmë që pikat historike për abrogimin e tij të përmbyllen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne duhet të diskutojmë për çështje praktike që kanë të bëjnë me palën greke dhe ne nuk mendojmë se gjërat janë fiks siç paramendohen. Kjo do na çojë në pasoja të niveleve të shumëfishta ku Greqia do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë me integrimin tuaj në Evropë. Ne konsiderojmë se minoriteti grek në Shqipëri por edhe komuniteti shqiptar në Greqi përbën urë lidhëse mes vendeve, ndaj diskutuam për këto grupe dhe kuptoj mirë çështjen e pensioneve, me shumë njerëz që kanë kontribuar në ekonominë tonë. Takova dhe anëtarë të minoritetit grek të Himarës që më dhanë zërin për problematikat e tyre. Kisha nderin të takoj dhe kryepeshkopin e Tiranës dhe Durrësit dhe në marrëdhëniet tona është e rëndësishme se iu referuam tregtisë dypalëshe, ekonomisë dhe si të thellojmë marrëdhëniet tona. Kjo do të thotë se ne duhet të diskutojmë mbi çështje praktike.”, tha Dendias.