Arbëri

LDK-ja e quan shëtitje vizitën 18-ditëshe të Kurtit në SHBA

Lidhja Demokratike e Kosovës po e konsideron shëtitje vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëpërmjet një konference për media, nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, deklaroi të hënën se vizita ishte e tejzgjatur dhe në shpërputhje me substancën si dhe me nivelin e takimeve për një kryetar qeverie.

Sipas Mjekiqit, Kurti e mbylli vizitën pa asnjë takim me zyrtarë të lartë të SHBA-së, pa pritje institucionale e shtetërore.

“Mungesa e takimeve të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentit të Shtetit, shpërfaq pafuqinë e kryeministrit Kurtit për t’i hapur dyert në nivelet më të larta të politikbërjes, në kohë të rëndësisë së madhe, shkaku i tronditjeve, në kohën e agresionit rus në Ukrainë. Takimet e tilla janë të zakonshme për krerët e institucioneve të rajonit, siç kanë qenë për Kosovën”, tha Mjekiqi.

Nënkryetarja e LDK-së theksoi se “shëtitjet 18 ditore” të Kurtit e zbehin peshën e vizitave institucionale që Kosova i ka pasur deri më tani.

“Jo çdo takim në të kaluarën në SHBA-së ka dhënë rezultate, por kjo qeveri s’ka arritur të sigurojë as vetëm takime”.

Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, deklaroi se vizita e Kurtit ishte e papërgatitur mirë.

“Dinamika e zhvillimeve sot nuk lejon që kryeministri i vendit të shkojë atje pa agjendë të dakorduar e të përgatitur mirë me administratën mikpritëse. Kosova ishte në rend dite edhe në takimin e fundit të G7-s. U fol për Kosovën dhe nevojën e përshpejtimit të dialogut. Nëse qëllimi kryesor i vizitës maratonike ka qenë diplomacia ekonomike, kjo nuk është bërë në mënyrën e duhur dhe s’mund ta zëvendësoj domosdoshmërinë e takimin në nivelin e lartë”, tha ai.