Arbëri

Abdixhiku kërkon përgjegjësi publike për ata që shtrenjtuan faturat e rrymës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se vërtetimi i vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë nga Gjykata e Apelit lidhur me tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike, e konfirmon faturimin diskriminues të qytetarëve.

Apeli vërtetoi të mërkurën vendimin e Themelores, me të cilin kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Për vendimin, Abdixhiku reagoi në Facebook duke thënë se për muaj qytetarët e Kosovës janë faturuar kundërligjshëm për rrymën.

“Tash e 3 muaj, ZRRE dhe Qeveria e Kosovës, kanë faturuar qytetarët tanë kundërligjshëm. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit si dhe ai i Gjykatës Themelore në Prishtinë, konfirmojnë të gjitha argumentet tona rreth faturimit diskriminues dhe të padrejtë të qytetarëve tanë. Këto argumente ishin injoruar nga pushteti. Insistimi i tyre për të mbrojtur një plaçkë publike, ka marrë sot vulën e dyfishtë të paligjshmërisë”, tha ai.

Abdixhiku kërkoi që mjetet financiare të kthehen te qytetarët dhe të bëhet rishikimi i menjëhershëm i tarifave të energjisë, si dhe shkarkimi i Bordit të ZRRE-së. Këta i ka quajtur hapa të domosdoshëm që Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti duhet t’i marrë.

“Sot kërkojmë përgjegjësi publike nga ata që paligjshëm i shtrenjtuan faturat e energjisë; e që mbrojtën me garancë këtë paligjshmëri”, shtoi tutje.

Kreu i LDK-së tha se keqpërdorimi i qindra milionave, pagesave të fshehta, vonesës në reagim, do të zbardhen në Komisionin Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës me energjinë elektrike.