Arbëri

Vuçiq sërish ankohet: Deklarata e Putinit na e ka vështirësuar situatën, ka presion të madh

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është ankuar se deklarimi i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se situata e Kosovës është e ngjashme me atë të Luhanskut e Donetskut, ia ka vështirësuar pozitën Serbisë.

Vuçiq ka thënë se ka një presion të paparë ndaj Serbisë dhe liderët perëndimorë po e përdorin këtë si shkas.

“Situata është edhe më e vështirë se e para Luftës së Dytë Botërore. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për t’u përgatitur për një skenar të tillë. Kemi mjaftueshëm energji elektrike dhe gaz. Presionet do të jenë të ashpra, veçanërisht kur Putin tha se si e bazon operacionin e tij në Ukrainë”, ka deklaruar Vuçiq, raporton B92. “Do të jetë gjithnjë e më vështirë t’i ruajmë interesat tona, sepse presionet do të jenë gjithnjë më të ashpra. Që nga dita kur presidenti i Rusisë tha se në çfarë e bazon pushtimin e tij në Ukrainë, të gjithë fuqitë perëndimore po punojnë ta përshpejtojnë të zgjidhin nyjën e Kosovës e M. Sigurisht, rusët i kanë gjetur gabimet e tyre nga e kaluara dhe i përdorin për nevojat e veta, është sjellje logjike, për ne është barrë shtesë”.

Vuçiq ka thënë se fakti se Serbia është e vetmja në Evropë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë e bën situatën edhe më të rëndë. Ai ka thënë se kurrë në jetë s’ka menduar se do të përballet me presione të tilla.

“Jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk i kemi vendosur sanksione Rusisë dhe për këtë jemi nën presion të madh, që po na shkakton probleme. Këto probleme do të vazhdojnë të rriten. Kurrë në jetën time nuk kam ëndërruar të përjetojë këtë. Nuk kam parë kurrë një presion të tillë, po përballemi me histeri dhe askush nuk dëshiron të dëgjojë. Histeri e paparë, diplomacia nuk ekziston më”, tha Vuçiq.

Putin gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, kishte thënë se ka lexuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në rastin e Kosovës.

Ai ka thënë se me atë vendim është krijuar një precedent dhe bazuar në të kanë të drejtën të shpallin pavarësinë edhe Luhansku e Donetsku.