Arbëri

Harvardi pret kërkesë të madhe për mësimin e gjuhës shqipe

Descriptive Text

Administratori i Universitetit të Harvardit, Faton Limani, ka thënë se presin kërkesë të madhe për ta zgjedhur gjuhën shqipe si lëndë zgjedhore nga viti i ri akademik në një nga universitetet më prestigjiozë në botë.

Universiteti i Harvardit njoftoi ditë më parë se ka futur gjuhën shqipe si lëndë zgjedhore nga viti i ri akademik, që do të fillojë në shtator. Ajo është futur në tri nivele, atë fillestar, të ndërmjetëm dhe të avancuar.

“E kemi pasur si ide më herët. Studentët e Bachelorit e kanë me detyrim ta zgjedhin një gjuhë të huaj. Ajo që e përshpejtoi dhe që e bëri më të lehtë për ne ishte kërkesa e disa studentëve shqiptaro-amerikan për ta futur gjuhën shqipe. Menjëherë pasi dëgjuam, ne filluam konsultime. Besoj se do të ketë kërkesë të madhe”, ka thënë Limani në emisionin “SOT” të KTV-së.

Limani ka treguar se në muajin gusht do të fillojnë regjistrimet, derisa numri i ligjëruesve do të bëhet në bazë të numrit të studentëve që do ta zgjedhin gjuhën shqipe.

“Në muajin gusht fillojnë regjistrimet. Lënda e gjuhës shqipe fillon për herë të parë dhe në bazë të numrit të studentëve, do të fillojnë përgatitjen dhe për të gjetur ligjëruesit. Përveç gjuhës si komunikim, mund të mësojnë edhe për kulturën e traditën shqiptare. Vlerat tona do të njihen më mirë”, ka thënë ai.