Arbëri

Konjufca: Serbia nuk dha përgjegjësi për zhdukjen e Ukshin Hotit

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, homazhe te shtëpia muze e Ukshin Hotit

Edhe pse kanë kaluar 23 vjet që nga zhdukja e veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, Ukshin Hoti, shteti i Serbisë nuk ka dhënë asnjë përgjegjësi dhe askush nuk është dënuar, ndonëse dihen autoritetet e burgut të asaj kohe kur ishte zhdukur, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të hënën gjatë homazheve në shtëpinë muze të Ukshin Hotit nw Rahovec.

Konjufca ka thënë se shteti serb nuk është duke dhënë përgjegjësi për këto veprime e as nuk po ndërron qasje.

“Askush nuk është dënuar dhe gjykuar për zhdukjen e tij, ndonëse dihet me saktësi kush ka qenë drejtori e kush kanë qenë gardianët. Gjithçka dihet, kjo tregon pikërisht se Serbia as nuk e qanë kokën për këto veprime, tregon se ky shtet as që po e ndërron drejtimin të cilin e ka pasur në vitin 1998-99 dhe gjithmonë në vazhdimësi kundër popullit shqiptar”, ka thënë Konjufca, raportoi KSP.

Kryekuvendari ka shtuar se Ukshin Hoti do të kujtohet për veprimtarinë e tij patriotike dhe si dikush që nuk ka kalkuluar në pozita dhe favore për të qenë në anën e popullit.

Më 16 maj të vitit 1999, Ukshin Hoti është zhdukur në rrethana ende të pandriçuara. /ksp