Arbëri

Tenderë për angazhim ekspertësh për “fusha sekrete”

Descriptive Text

Është bërë trend që së fundmi institucionet të hapin tenderë për angazhim të ekspertëve e konsulentëve. Ndonëse ky veprim është i ligjshëm, në tenderë nuk tregohet fusha specifike e ekspertizës së tyre. Angazhimi i tyre, sipas shoqërisë civile, nuk duhet të bëhet pa pasur mungesë specifike të ekspertizës në institucion. Sipas tyre, kjo nuk duhet bërë për sa kohë që punët që duhen kryer janë përshkrim i punës së zyrtarëve, që institucioni i ka të punësuar me kontrata të rregullta

Autoriteti i Aviacionit Civil ka hapur tender për dy ekspertë.

Gara është e hapur për një konsulent për përpilim raportesh, si dhe një tjetër për Aviacion Civil.

Për ta ka disa kritere të shkollimit e përvojës, mirëpo në dosjen e tenderit nuk tregohet çfarë mungese ekspertize specifike të institucionit do të mbulojnë ata.

Autoriteti i Aviacionit Civil në një përgjigje për KOHËN ka thënë se gjithçka është në përputhje me ligjet në fuqi.
“Ju informojmë se sa i përket tenderit për shpallje publike për dy konsulentë në AAC, të gjitha kriteret për shpallje dhe vlerësim janë përcaktuar bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik nr. 04/L-042 të R. së Kosovës. Kërkesat specifike janë caktuar bazuar në Ligjin e Aviacionit Civil nr. 03/L-051”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit të Aviacionit Civil.

Ngjashëm me Aviacionin Civil, por edhe më shumë konsulentë ka kërkuar Komuna e Prishtinës për të mbuluar fushën e menaxhimit të kontratave.

Kryeqyteti ka kërkuar 10 ekspertë për të menaxhuar me kontrata të mëdha.

Në përgjigjen e saj Komuna ka thënë se me hapjen e tenderëve të tillë nuk reflektohet mungesë e kapaciteteve menaxhuese të Komunës.

“Komuna e Prishtinës dënon çfarëdo tendence për etiketim të dëmshëm që tentohet t’i bëhet institucionit, pasi që Komuna e Prishtinës ka të angazhuar staf shumë profesional, mirëpo duke pasur parasysh që çdoherë paraqitja e punëve nuk lidhet me statikën, por me dinamikën e veprimtarisë punuese, atëherë paraqitet nevoja edhe për angazhime shtesë të stafit mbështetës profesional për marrjen e këshillave profesionale dhe kryerjen e detyrave profesionale”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Hapja e tenderëve të tillë lë shije të keqe për institucionet, thotë Diana Metushi-Krasniqi, që është udhëheqëse e projekteve për transparencë e prokurim publik në KDI.

Ajo thekson se me kontratat mbi vepër ka pasur abuzime të shumta në institucionet publike.

“Të jepet përshtypja se vetëm ka ndërruar emri i kontratës prej kontratave mbi vepër në kontratat për shërbime për rehatimin e njerëzve të afërt, për të cilët nuk kërkohet ndonjë profesionalizëm i caktuar. Është në rregull të jepen kontrata mbi vepër apo kontratë për konsulencë, mirëpo ajo kontratë mbi vepër duhet të dihet saktësisht se me cilin projekt ka të bëjë, duhet të dihet saktësisht se cilat janë ato detyra të cilat do t’i ofrojë profesionisti në fjalë”, u shpreh Metushi-Krasniqi.

Sipas saj, kushtet duhet të jenë shumë të rrepta nëse vendoset për angazhim të ekspertëve.

“Duhet të jetë një shërbim të cilin nuk e posedon apo një kualitet, një profesion, diçka që nuk e posedon institucioni publik dhe që i duhet ta kontraktojë për shkak të nevojave afatshkurtra dhe jo afatgjata. Ajo që e kemi vërejtur është që në shumicën e këtyre kontraktimeve përshkrimi i kushteve të veçanta, si detyrat dhe përgjegjësitë e personit të kontraktuar apo të konsulencës janë tepër gjenerike dhe nganjëherë edhe të ngjashme me ato që janë dhe që janë në përshkrime të pozitave të aprovuara të nivelit publik, të nëpunësve publikë”, shtoi ajo.

Vlera e paraparë për dy konsulentë në AAC është 54.000 euro, ndërsa në Komunën e Prishtinës për 10 konsulentë 400.000 euro.