Arbëri

Vuçiq ankohet: Serbia bëhet viktima më e madhe kur Putin thirret në rastin e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia po bëhet viktima më e madhe kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po thirret në rastin e Kosovës për të arsyetuar njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste Donetsk e Luhansk.

Putin gjatë takimit që kishte pasur para pak javëve me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, kishte thënë se bazuar në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për rastin e Kosovës, Donetsku e Luhansku, kanë të drejtën për të shpallur pavarësinë.

Ai kishte thënë se është krijuar precedent me rastin e Kosovës.

“Serbia është viktima më e madhe kur Putin thirret në rastin e Kosovës. Kur Medvedev e Putin i referohen çështjes së Kosovës, ata nuk kanë shembull tjetër përveç këtij. Nuk është fer ndaj nesh, por për ta është në rregull. Ata e përdorin sepse e kanë vetëm atë. Ata kanë nxjerrë një shkelje brutale të së drejtës ndërkombëtare dhe i përmbahen asaj”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për “TV Prva” të dielën.


Vuçiq i reagon Sarrazinit, njofton se katër shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës

Ai ka shprehur mllefin edhe ndaj Gjermanisë, veçanërisht ndaj deklaratave të Përfaqësuesit Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Sarrazin kishte thënë se Kosova duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës dhe se Gjermania do ta përkrahë atë.

“T’i kthehemi deklaratës së Sarrazinit dhe të G7. Kur bëhet fjalë për atë politikë, është një lloj politike pa parime dhe me presion brutal. Edhe britanikët sillen më korret se gjermanët, së paku nuk e përdorin menjëherë sëpatën”, tha Vuçiq. “Thonë se nuk do të cenojnë integritetin territorial të Ukrainës, por këtë po e bëjnë me rastin e Serbisë, është hipokrizi. Do ta pyes Sarrazinin pse nuk u përmbajt të paktën për pak kohë. Ku është logjika juaj. Ne jemi të vegjël, por jo idiotë. Duhet ta kuptoni se ata kanë mbështetjen e SHBA-së për çdo gjë. Dhe pastaj përkrahen nga britanikët dhe gjermanët, gjermanët me zë më të lartë”.

Vuçiq ka shtuar se në rast se Serbia do t’i vendoste sanksione Rusisë do të jetonte dhjetëfishtë më mirë.

“Çmimi që po paguajmë është tepër i madh. Tani të gjithë do të thonë – ja Vuçiqi do t’i vendosë sanksione. Jo, ne do të luftojmë për aq sa mundemi. Po pësojmë dëme të mëdha dhe nuk po kërkojmë ndonjë falënderim, së paku ambasadori rus do të duhej të tregonte pak më tepër respekt. E imja është t’ju them njerëzve – po vuajmë tmerrësisht, po vuajmë shumë”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se katër shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës, por i pyetur pse nuk i tregon emrat, ka thënë se e bën për të mbrojtur pozitën e Serbisë.

“Sepse nuk dua ta vendosi Serbinë në një pozitë të vështirë. Sepse tashmë janë dy shtete që bëjnë klane që duhet të punojnë kundër politikës së ndjekur nga Serbia. Unë kam katër shënime për tërheqje, por nuk do t’i tregojmë. Ne do të vazhdojmë punën për tërheqjen e njohjeve. Nuk do të japë me asnjë çmim integritetin territorial të Serbisë. Pikë”, ka shtuar Vuçiq.