Arbëri

Gjermania e Franca të ndara për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Gjermania, ndryshe nga Franca, ka garantuar mbështetjen për Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës. Këtë e konfirmoi i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një konferencë për shtyp të premten në Prishtinë, pas takimit me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.

“Ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur. Ne do ta mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet evropiane. Ne jemi pro dhe do ta mbështesim me të gjitha kapacitetet tona aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. Shpresojmë të kontribuojmë në këtë proces”, ka thënë Sarrazin.

Më herët gjatë ditës, Pierre Corhard, ambasador i Francës në Beograd, ka thënë për “TV Nova” se Franca nuk i përkrah vendimet e njëanshme.

“Ne i përkrahim përpjekjet e Miroslav Lajçakut, përkrahim ftesën e Gjermanisë për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Aplikimi për Këshill të Evropës ishte vendim i njëanshëm dhe ne nuk i përkrahim vendimet e tilla dhe e konsiderojmë prioritet dialogun”, ka thënë ai. “I kuptojmë aspiratat e Kosovës për të hyrë në institucionet evropiane dhe e mirëpresim faktin që janë rreshtuar krah pozicioneve evropiane për Ukrainën. Megjithatë, lëvizjet e njëanshme nuk i lehtësojnë gjërat dhe mund të çojnë në tensionime”.

Kosova të enjten, përmes ministres Gërvalla, dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Për pranim mjafton përkrahja e 31 shteteve. Shpresat për pranim janë shtuar pasi nga KE-ja u përjashtua Rusia.