Arbëri

Bytyçi: Anëtarësimi i Kosovës në KE mund të përmbyllet shpejt

Seb Bytyçi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës mund të përmbyllet shpejt, nisur nga atmosfera që po mbretëron në Evropë, si pasojë e luftës në Ukrainë.

Bytyçi ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të enjten, se më 20 maj mblidhet komiteti i ministrave të Këshillit të Evropës dhe se gjatë këtij takimit mund të diskutohet edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë organ.

“Nëse nisemi në përgjithësi nga atmosfera në Evropë, pas luftës në Ukrainë, atmosfera e krijuar ku ka një lloj konsolidimi të radhëve në perëndim dhe ka interes që të konsolidohen çështjet e hapura. Tash e kemi aplikacionin e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO. Nëse shihet me atë kontekst, edhe aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në KE, mund të përmbyllet mjaft shpejt. Nëse ka shtyrje nga shtetet e mëdha evropiane, procesi mund të përfundojë më shpejt”, ka thënë Bytyçi.

Ai ka shtuar se pavarësisht se ka përkrahje për Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, asgjë nuk është e garantuar, derisa rastin e ka krahasuar edhe me votimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Fatmirësisht ka një përkrahje për Kosovën. Ekziston një përkrahje dhe nëse nisemi nga numrat, shtetet që e njohin Kosovën e përbëjnë shumicën e nevojshme në Këshillin e Evropës. Por prapë ajo nuk është e garantuar. E kemi përvojën e UNESCO-s ku kanë votuar kundër ose kanë abstenuar edhe shtetet që e kanë njohur Kosovën. Nuk ka hapësirë për komoditet por gjasat janë shumë të mira që të kalojë aplikacioni në komitetin e ministrave dhe pastaj në fazën e dytë merret një opinion pozitiv në asamblenë parlamentare ku delegatët votojnë secili individualisht”, ka shtuar Bytyçi.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka dorëzuar të enjten aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Për pranim mjafton përkrahja e dy të tretave të tyre. Shpresat për pranim janë shtuar, pasi nga Këshilli i Evropës u përjashtua Rusia.