Arbëri

Kurti: Anëtarësimi, vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për këtë organizatë ndërkombëtare dhe një mundësi e mirë për Kosovën që të përparojë në fushat e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Kurti në një postim në Facebook, ka treguar për vendimet që ka marrë Qeveria e udhëhequr nga ai në funksion të aplikimit për anëtarësim.

“Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Liria e shprehjes dhe medies çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit prioritet. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Për pranim mjafton përkrahja e dy të tretave të tyre.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.