Arbëri

ZKA: KEK-u pagoi në disa raste më shtrenjtë për mallra dhe shërbime që bleu

Zyra Kombëtare e Auditimit ka nxjerrë raportet e auditimit 2021/22 të rregullsisë në disa komuna, të performancës së nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe Prokurimin në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020).

Në auditim u konkludua se Korporata Energjetike e Kosovës nuk ishte siguruar që fondet dhe burimet e saj ishin përdorur në mënyrën më ekonomike, duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit. Gjatë viteve 2018-2020, përmes prokurimit KEK-u kishte lidhur 1,060 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 181.5 milionë euro.

Në raport thuhet se, KEK-u nuk ishte siguruar që në aktivitetet e veta të prokurimit t’i trajtojë operatorët ekonomikë në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe të veprojë në mënyrë transparente.

“Korporata Energjetike e Kosovës kishte zhvilluar disa aktivitete të prokurimit në atë mënyrë që kishte reduktuar apo eliminuar konkurrencën në mes të operatorëve ekonomik ose kishte diskriminuar në dëm ose në të mirë të një ose më shumë operatorëve ekonomik. Kjo për shkak se Korporata Energjetike e Kosovës kishte lidhur numër të konsiderueshëm të kontratave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, duke i arsyetuar me situata të emergjencave ekstreme përderisa rrethanat që e kishin krijuar këto situata i atribuohen neglizhencës ose lëshimeve të saj”, thuhet në të.

Në raport thuhet se aktivitetet e prokurimit janë realizuar kryesisht me negocim të çmimit me ç’rast Korporata Energjetike e Kosovës, përveç që nuk ka siguruar transparencë në prokurim, ne disa raste ka paguar më shtrenjtë për mallrat dhe shërbimet e blera.

Institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies

Gjithashtu, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditimin e performancës "Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare". Ky auditim përfshin periudhën 2018-2021 dhe ka pasur për qëllim që të vlerësojë nëse institucionet përgjegjëse kanë marrë masa për përmirësimin e mësimdhënies dhe vlerësimin e nxënësve në Kosovë.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe komunat Novobërdë, Istog dhe Prizren ishin subjekt i këtij auditimi.

Bazuar në gjetjet e auditorit, konkluzioni i auditimit është se institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë.

“Rezultatet e testeve ndërkombëtare në të cilat ka marrë pjesë Kosova tregojnë se ne po marrim shumë pak pikë krahas me vendet e tjera (në vendin e tretë të fundit nga 77 vende pjesëmarrëse), që është tregues se synimi i rezultateve sipas lëndëve në kurrikulë nuk po zbatohet siç është synuar. Për më shumë, Komiteti i Vlerësimeve Ndërkombëtare nuk është themeluar që do t’i vlerësonte dhe adresonte mospërputhjet dhe boshllëqet”, thuhet në raport.

Rezultatet e testit kombëtar të arritshmërisë janë relativisht të larta dhe ndryshojnë shumë me vlerësimin vjetor që bëhen nga mësimdhënësit, thuhet në raport bashkë me sqarime të tjera.

“Disa nxënës me notën 2 arritën të marrin deri në 84 nga 100 pikë. Nuk ka asnjë dëshmi nëse Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë ndërmarrë ndonjë hap që t’i analizojnë këto dallime, të cilat tregojnë se qëllimi i testit të arritshmërisë nuk është arritur dhe si rezultat mund të demotivojë dhe të nxis një kulturë jo të mirë mes nxënësve. Për më shumë as, Divizioni për Standarde, Monitorim dhe Vlerësim nuk ka bërë asnjë monitorim në asnjë shkollë”, thuhet tutje.

ZKA: Parregullsitë janë të përhapura në secilën fushë të shpenzimeve

Në raportet e auditimit 2021/22 të rregullsisë për Komunat e Gjilanit, të Skenderajt, të Vushtrrisë, të Graçanicës, të Zveçanit, të Shtërpcës, të Mitrovicës së jugut, të Mitrovicës së veriut, të Novobërdës dhe Komunën e Kamenicës; si dhe Ministrinë e Ekonomisë, rezultatet kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit.

Parregullsitë janë te përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë te shpenzimeve, sipas ZKA-së.

Disa nga parregullsitë:

Angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe kryesisht për pune dhe detyra te rregullta te organizatës;

Mangësi në procesin e prokurimit publik, disa prej tyre, përdorimi i procedurës jo adekuate te prokurimit publik, tejkalim i vlerës se kontratave, mangësi ne menaxhimin e kontratave, inicim i projekteve pa zotim te mjaftueshëm te fondeve,

Mospagesa e faturave brenda afatit 30-ditëve;

Mungesa e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve;

Mangësi në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për subvencion;

Jo efikasitet ne verifikimin e pronave komunale

Masa jo te mjaftueshme ne inkasimin e llogarive te arketueshme dhe

Njësi të auditimit të brendshëm të pakompletuara

Ajo ka thënë se këto mangësi po përsëriten çdo vit.