Arbëri

Kosova të enjten aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Vuçiqi paralajmëron pasoja

Aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës e kanë paralajmëruar burimet në Bruksel e po ashtu edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai u ka thënë gazetarëve, pas takimit të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, se ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka njoftuar për aplikimin edhe pjesëmarrësit e darkës joformale të organizuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell. Gërvalla në deklarimin për media nuk e ka përmendur aplikimin në Këshillin e Evropës

Ndonëse ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, nuk e ka thënë publikisht as para e as pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Kosova pritet që sot (e enjte) të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këtë e kanë konfirmuar disa burime në Bruksel, ani që Këshilli i Evropës nuk ka lidhje me Bashkimin Evropian.

Aplikimin e Kosovës e ka paralajmëruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai u ka thënë gazetarëve, pas takimit të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, se në këtë takim Gërvalla i ka njoftuar pjesëmarrësit se Kosova të enjten do të aplikojë formalisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vuçiqi ka thënë se ky hap i Kosovës do të jetë “në kundërshtim me normat e disa marrëveshjeve”.

“Nëse ata e bëjnë këtë, atëherë është e qartë se për ta nuk ka as marrëveshje të Brukselit, as marrëveshje të Uashingtonit, as Rezolutë 1244 dhe se do ta shfuqizojnë plotësisht rendin juridik ndërkombëtar. Do të jetë interesante të shihet se kush nga të gjithë ata që betohen se do të respektojnë të drejtën publike ndërkombëtare do të mbështesë diçka të tillë”, ka deklaruar Vuçiq, duke pretenduar se aplikimin Kosova do ta bëjë të enjten. “Ne do të përgjigjemi seriozisht dhe me përgjegjësi dhe do ta mbrojmë me forcë vendin tonë”, ka deklaruar Vuçiq.

Gjatë darkës në Bruksel, bëhet e ditur se Serbia ka qenë nën presion edhe për të mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës. Serbia është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor i cili nuk i ka shpallur sanksione Rusisë, dhe kjo ka shkaktuar indinjatë te disa shtete të Bashkimit Evropian. Rusia pas fillimit të invazionit të saj në Ukrainë është përjashtuar nga Këshilli i Evropës.

Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka përfaqësuar Kosovën në darkën joformale të organizuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, pasi edhe presidentja Vjosa Osmani, edhe kryeministri Albin Kurti ndodhen për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gërvalla ka folur për mundësitë për integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në strukturat e BE-së, por jo edhe për aplikimin e shpejtë në Këshillin e Evropës.

Kosova për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka marrë mbështetje nga disa shtete, disa prej të cilave e kanë shprehur këtë edhe publikisht.