Arbëri

Inflacioni në çmimet e konsumit arrin në 11 për qind në raport me vitin e shkuar

Në 11.2 për qind ka arritur norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill të vitit 2022 në raport me muajin prill të vitit të shkuar, ka njoftuar Agjencia e Statistikave e Kosovës në publikimin e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit.

Sa i përket inflacionit mujor, prilli pati ngritje 1.5 për qind në raport me muajin mars, që si i vetëm regjistroi rritjen mujore më të madhe që nga viti 2010, me 2.7 për qind shtrenjtim për një muaj të vetëm.

Ngritja e çmimeve kryesisht është vënë re te buka dhe drithërat, mishi, qumështi, djathi dhe vezët. Yndyra ushqimore me 15.6 për qind pati shtrenjtimin më të madh në raport me muajin mars. Pemët e perimet po ashtu u shtrenjtuan. Shtrenjtim përjetuan edhe pijet alkoolike, gazi, lëndët djegëse të ngurta, pajisjet shtëpiake, blerja e automjeteve, karburantet e shërbimet për transport e hotelieri.

Sa i përket inflacionit në bazë vjetore, buka e drithërat tash janë 24.3 për qind më shtrenjtë se një vit më herët, mishi 13.5 për qind, qumështi 21.7 për qind, ndërsa vajrat dhe yndyrat ushqimore 51.3 për qind. Perimet, kafja, çaji po ashtu janë shtrenjtuar në vlera dyshifrore të përqindjes.

Lirim ka pasur vetëm te energjia elektrike për shkak të rënies së konsumit.

Viti bazë për krahasim çmimesh vlen 2015-a.

Inflacioni ka goditur botën që kur Rusia nisi luftën në Ukrainë.

Statistikat e ASK-së