Arbëri

Lufta në Ukrainë mund të depërtojë në Ballkan, paralajmëron Gërvalla

Descriptive Text

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës mund të trimërojë Serbinë të veprojë ushtarakisht kundër Kosovës, ka paralajmëruar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në një intervistë për “Jerusalem Post”.

Në vizitën treditëshe në Izrael, Gërvalla ka bërë thirrje që zyrtarët e këtij shteti të shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të ndihmuar në qetësimin e situatës.

“Shtetet si Izraeli mund të ndihmojnë në stabilizimin e rajonit”, ka thënë ajo. “Jemi të shqetësuar se Ballkani mund të jetë zona tjetër e nxehtë”.

Gërvalla ka qenë zyrtarja më e lartë e Kosovës që ka vizituar Izraelin që kur dy shtetet nisën raportet ndërshtetërore më 2020, si pjesë e marrëveshjes së iniciuar nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Kosova u bë ndër shtetet e para që hapi ambasadë në Jerusalem.

Në vizitën e parë të një zyrtari shtetëror të Kosovës që nga njohja, Gërvalla ka thënë se njohja nga Izraeli ka rëndësi të madhe.

Gërvalla ka thënë se Kosova i di vuajtjet e Ukrainës, tash kur nisi pushtimi rus. Ajo ka shtuar se Kosova ka treguar solidaritet me ukrainasit në mbrojtje të shtetit të tyre.

“S’kemi dilema se çfarë po dëshiron të arrijë në Ukrainë presidenti rus Vladimir Putin. Ju mund t’i shihni ngjashmëritë se si po vepron Rusia tash në Ukrainë dhe se vepron Serbia në rajonin tonë”, ka thënë Gërvalla.

Sipas saj, lufta ka dhënë mesazhin që “problemet me kufij dhe etni” janë në agjendë sërish.

“Në Ballkan të flitet për kufijtë dhe ndryshime kufijsh ka qenë gjithmonë çështje lufte”, ka shtuar ajo.

Duke treguar për lidhjet e fuqishme të Serbisë me Rusinë, Gërvalla ka thënë se Perëndimi, por edhe Izraeli, duhet të japin mesazhin se tash është koha që Serbia të vendosë e të mos ulet më në dy karrige.

“Deri tash ka qenë e mundshme që Serbia të marrë paratë nga Bashkimi Evropian dhe me paratë e BE-së të blejë armatim rus, por kjo s’është më e mundshme. Qeveria e Serbisë duhet të ketë mesazhin e qartë se lufta në Ballkan s’është më opsion”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla ka shprehur shqetësimin se Serbia po bëhet satelit i Rusisë brenda Ballkanit. Ajo ka thënë se retorika e Serbisë kundër Kosovës dhe kërcënimet ushtarake janë shqetësimi tjetër i vazhdueshëm.