Në një seancë të mbyllur për opinionin, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, prezantoi draft-marrëveshjen me Bullgarinë. Marrëveshja nga Zaev dhe homologu i tij bullgar, Bojko Borisov pritet të nënshkruhet më 2 gusht në Shkup. Ajo, sipas Zaevit, do të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët, njëherë një nga parakushtet për anëtarësim në BE.
“Do t’ju lutesha që, nëse vendos Komisioni, ta mbyllim seancën. Unë do të jem këtu para të gjithë deputetëve, do të pres feedback, debat nga vetë deputetët, por besoj se për shkak të respektit ndaj fqinjit, për shkak të procedurave që duhet t’i respektojmë me vëmendje, pa asnjë ambicie që diçka të fshehim nga qytetarët, por para së gjithash për shkak të profesionalizmit dhe kujdesit të gjithë këtij procesi, të shkojmë hap pas hapi drejt zgjidhjes së një çështjeje, në të cilën të gjitha Qeveritë e mëparshme kanë dhënë kontribut serioz. Sot flasim për finalizimin e kësaj çështjeje”, citon Alsat-M Zoran Zaevin.
Ndërkaq VMRO DPMNE-ja ka listuar disa vërejtje për përmbajtjen e marrëveshjes.
Kërkoj nga ju një kopje, material të draft-marrëveshjes që do të jetë bazë që të kemi rend dite. Pasi të kemi bazë, në përputhje me procedurat me bashkëpunëtorët tonë që punojnë me material të klasifikuar, të njëjtin do t’ua shpërndajmë deputetëve që kanë certifikatë sigurie dhe do të krijojmë kushte që të vazhdojë seanca sipas kërkesës suaj – tha Antonio Milloshovski, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme.
Seancës për Draft Marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Bullgarisë i parapriu një debat i gjatë midis pushtetit dhe opozitës nëse mbledhja duhej të ishte e hapur për opinionin ose jo. Zaev kërkonte që komisioni të ishte i mbyllur, me arsyetimin se është në kundërshtim me diplomacinë ndërkombëtare të publikohet një marrëveshje para se të nënshkruhet.
Nga ana tjetër kryetari i Komisionit, Milloshovksi këmbëngulte që t’i dorëzohet paraprakisht draft-marrëveshja në mënyrë që deputetët të mund të bëjnë propozime e kritika. Debatit kahjen përfundimtare ia dha Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Ai tha se Rregullorja e Kuvendit në këtë rast parashikon që deputetët fillimisht të votojnë për seancë të mbyllur dhe më pas ta marrin në duar draft-marrëveshjen.
-
18 korrik 2017 18:04
-
Shpërndaje në: