Arbëri

Osmani: Asnjë çmim s’është shumë i lartë për t’u paguar për të mbrojtur demokracitë dhe lirinë

Descriptive Text

Përballë tiranisë, asnjë çmim nuk është shumë i lartë për t'u paguar për të mbrojtur demokracitë dhe lirinë, ka thënë presidentja Vjosa Osmani teksa ka folur për mundësinë e ballafaqimit me mungesë të furnizimit të rregullt, sfida ekonomike e tronditje të tregjeve energjetike dhe rritje të çmimeve, në fjalën e saj në tryezën “Bashkëpunimi Transatlantik për Sigurinë Energjetike” në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, që po mbahet në Washington DC.

Në kohën kur lufta e nisur nga Rusia në Ukrainë e ka ekspozuar rrezikun e varshmërisë së madhe të Evropës nga Rusia për sa i përket sigurimit të furnizimit me energji, distancimi nga gazi, qymyri e nafta ruse është bërë pjesë e pakos së sanksioneve të shumë vendeve evropiane ndaj Rusisë.

“Përballë këtyre zhvillimeve, Presidentja Osmani theksoi se sfidë madhore mbetet gjetja e ekuilibrit të duhur midis përgjigjeve afatshkurtra ndaj krizës aktuale energjetike pa kompromentuar qëllimet dhe ambiciet e tranzicionit të energjisë dhe veprimit klimatik, përderisa sigurohemi që tranzicioni të jetë i drejtë dhe i barabartë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Osmani ka thënë se në të dy anët e Atlantikut qëllimet në ballafaqim me krizën energjetike janë të përbashkëta: sigurimi i furnizimit të rregullt me çmime të arsyeshme dhe të përballueshme nëpërmjet promovimit të politikave të qëndrueshme, mbështetjes së inovacionit dhe arritjes së objektivave në luftimin e ndryshimeve klimatike".

“Teksa foli për mundësinë e ballafaqimit me mungesë të furnizimit të rregullt, sfida ekonomike, tronditje të tregjeve energjetike, dhe rritje të çmimeve të energjisë, Presidentja Osmani theksoi se përballë tiranisë, asnjë çmim nuk është shumë i lartë për t'u paguar për të mbrojtur demokracitë dhe për të mbrojtur lirinë”, thuhet në komunikatë.