Arbëri

ORCA: Agjencia për Akreditim të fillojë me monitorimin e kolegjeve dhe universiteteve

Descriptive Text

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka bërë thirrje që Agjencia për Akreditim të fillojë me monitorimin e kolegjeve dhe universiteteve.

ORCA ka thënë se ka pesë vite që është duke e monitoruar punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjenci të Akreditimit dhe raporti i prezantuar të martën është rezultat i monitorimit të mbledhjeve të KShC-së gjatë vitit 2021, por edhe të bashkëpunimit me Agjencinë e Akreditimit.

Kjo organizatë ka thënë se gjatë vitit 2021, 2 universitete publike dhe 5 kolegje private janë riakredituar, ndërkohë që katër kolegje private dështuan në procesin e riakreditimit institucional.

Sipas saj, janë gjithsej 8 kolegje që nuk kanë akreditim institucional pasi që nuk kanë arritur t’i plotësojnë standardet e nevojshme dhe rrjedhimisht nuk mund të regjistrojnë studentë.

“Në universitete publike, kanë akreditim gjithsej 123 programe Bachelor, 92 programe Master, 7 programe të doktoratës dhe 2 programe doktor shkence. Ndërsa në kolegje private janë gjithsej 116 programe Bachelor dhe 58 programe Master”, thuhet në njoftim.

Sipas ORCA-s, monitorimi është proces formal që duhet kryer nga Agjencia për Akreditim, përmes të cilit verifikohet nëse institucionet e arsimit të lartë po e vazhdojnë plotësimin e rekomandimeve të ekspertëve të jashtëm dhe po i mirëmbajnë kushtet me të cilat janë akredituar.

Kjo komponentë e Agjencisë, sipas tyre, nuk ka qenë aktive as gjatë vitit 2021 dhe mungesa e monitorimit të mirëfilltë nga AKA-ja ndaj institucioneve të cilave iu ka dhënë akreditim, ka qenë evidente ndër vite. Përmes projektit QAINT të financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), Agjencia e Kosovës për Akreditim kishte pranuar draftin fillestar të Metodologjisë së Monitorimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë, i cili është aprovuar në shkurt të këtij viti.

“Në shkurt të vitit 2021, tre anëtarët ndërkombëtarë të KSHC-së, kishin dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre pas kërkesës së Agjencisë Kundër Korrupsion për zbatimin e Ligjit për deklarimin e pasurisë, i cili obligon që të gjithë zyrtarët publik ta deklarojnë pasurinë e tyre. Edhe anëtarët e rinj ndërkombëtarë që ishin emëruar në qershor, prezantuan dorëheqjet e tyre për të njëjtat arsye. Në nëntor të vitit 2021, kryetari i Komisionit për Ankesa në Agjencinë e Kosovës për Akreditim kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, andaj që nga ajo kohë ky komision është jashtë funksionit të tij”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas ORCA-s, drejtori i Agjencisë pati denoncuar transferimet e jashtëligjshme të studentëve nëpër programe studimore të kolegjeve. Shtonë se ata i transferonin studentët nga një program në tjetrin pavarësisht faktit që programet nuk ishin të përafërta dhe kishin dallime rrënjësore mes vete, e kjo po ndodhte si pasojë e kufizimit të numrit të kuotës së regjistrimit të studentëve në programe të ndryshme.

“Agjencia për Akreditim e ka të domosdoshme rekrutimin e stafit të nevojshëm për proceset administrative të cilat kryhen nga kjo e fundit. Monitorimi i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, është njëra ndër komponentat e kësaj agjencie, mungesa e të cilës ka lënë hapësirë për mashtrimin e studentëve nga shumë prej kolegjeve që operojnë në vendin tonë. Prandaj është më se e rëndësishme që agjencia të bëj përgatitjet e nevojshme dhe të fillojë sa më shpejtë me monitorimin e këtyre institucioneve, në mënyrë që të bëj parandalimin e lajthitjes së studentëve dhe që të fillojë me marrjen e masave ndaj atyre institucioneve që i tejkalojnë apo thyejnë kushtet përmes të cilave kanë marrë akreditimin institucional dhe për programe”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas ORCA-s, është e rëndësisë së veçantë hyrja në fuqi e Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, në mënyrë që procesi i akreditimit të pavarësohet nga ndikimet e tërthorta të ministrave të ndryshëm të arsimit përmes udhëzimeve administrative, siç ka qenë praktikë e qeverisjeve të mëparshme.

“Agjencia duhet të bashkëpunojë me institucionet relevante, për të bërë hulumtimin e tregut të punës, në mënyrë që Këshilli Shtetëror i Cilësisë të bazohet në atë studim kur trajton apo shqyrton aplikimet për akreditim të programeve studimore nga institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë. Nevojitet angazhim sistematik dhe zinxhiror për rianëtarësimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim në Rrjetin Evropian të Asociacionit për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR)”, thuhet në njoftim.