Arbëri

Vlerësohet e ligjshme shuarja e pozitës së drejtorit të përgjithshëm në MPJD

Descriptive Text

Duke iu përgjigjur ankesës së drejtorit Albert Prenkaj, i cili ishte prekur nga procesi i ristrukturimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e ka interpretuar si të ligjshëm vendimin për shuarjen e Drejtorisë së Përgjithshme në këtë dikaster. Përveç Prenkajt, procesi i sistemimit të zyrtarëve nga ministria e shuar e diasporës, ka prodhuar pakënaqësi edhe te pjesa tjetër e shërbimit të jashtëm

Shuarjen e Drejtorisë së Përgjithshme në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që ishte kundërshtuar nga udhëheqësi i saj, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e ka vlerësuar vendim të ligjshëm. Pas ankesës së drejtorit të përgjithshëm, Albert Prenkaj, i cili ishte prekur nga procesi i ristrukturimit, Këshilli ka konstatuar se risistemimi brenda MPJ-së mbështetet në rregulloren e miratuar nga Qeveria për këtë çështje. Dilema ishte ngritur për faktin se një pozitë e tillë parashihet me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.

“Lidhur me shqyrtimin e pretendimeve ankimore të ankuesit se shuarja e pozitës së drejtorit të përgjithshëm është në kundërshtim me kreun II të Ligjit Nr. 03/L-122 për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, Kolegji bazuar në dispozitat e Rregullores (QRK) Nr.01/2020 për Standardet e Organizimit të Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Institucionet e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, vlerëson se organizimi i brendshëm dhe sistematizimi i vendeve të punës përcaktohen varësisht nga fushëveprimi, lloji dhe kompleksiteti i detyrave dhe përgjegjësive të institucionit, me qëllim të zbatimit të mandatit ligjor, si dhe sigurimit të performancës së tyre efikase me një kosto efektive, e mbi këtë bazë rezulton se mbetet në diskrecion të institucionit që të vendosë lidhur me strukturën e brendshme të organizimit dhe funksionimit në mbështetje të parimeve të lartcekura”, shkruan në vendimin e datës 14 prill.

Këshilli i është referuar edhe Ligjit për zyrtarët publikë duke potencuar se “nëpunësi ka të drejtë të paraqesë ankesë drejtpërdrejt për çdo veprim apo mosveprim, që i cenon të drejtat apo interesat e ligjshme”.

“Në kuptim të dispozitave të Udhëzimit Administrativ nr. 03/2013 për Standardet e Hartimit të Akteve Normative rezulton se Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është akt i karakterit normativ që ka të bëjë me organizimin e brendshëm dhe funksionimin e këtij institucioni, e si rrjedhojë vlerësimi i ligjshmërisë dhe pajtueshmërisë përkitazi me zbatimin e standardeve nga institucionet e administratës shtetërore me rastin e hartimit të Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve në Punë është përgjegjësi e ministrisë gjegjëse për administratë publike, e mbi këto arsye Kolegji konstaton se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nuk ka kompetencë lëndore që të vlerësojë ligjshmërinë e akteve të natyrës së tillë”, thotë vendimi.

Në funksion të pretendimeve të ngritura, Këshilli ka vlerësuar se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura është shfuqizuar Ligji i Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura.

Por Drejtoria e Përgjithshme përcaktohet me nenin 5 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, i cili vazhdon të jetë në fuqi. Sipas kësaj dispozite, Drejtoria bashkërendon komunikimin e përhershëm të Ministrisë me misionet e shërbimit të jashtëm, është përgjegjëse për hartimin dhe realizimin e synimeve në veprimtarinë e shërbimit me jashtë, si dhe udhëheq zyrat përkatëse brenda Ministrisë.

Sipas Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kjo ministri është organizuar në strukturën - Kabineti i ministrit, Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm, Departamentet dhe Divizionet.

Vendimi i Këshillit mund të atakohet nëpërmjet inicimit të konfliktit administrativ në Gjykatën Themelore. KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga Prenkaj nëse do ta vazhdojë betejën ligjore, por nuk është përgjigjur.

Sistemimi i ish-Ministrisë së Diasporës ka shkaktuar dyfishim të pozitave brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Edhe miratimi i rregullores së re është përcjellë me shumë pakënaqësi, gjë që dëshmohet përmes dokumenteve brenda këtij dikasteri. KOHA ka raportuar se ndryshimi do t’i prekë edhe udhëheqësit e departamenteve, për të cilat Ministria përmes një thirrjeje të brendshme u ka kërkuar që t’i dërgojnë tri preferenca për sistemim në njërin prej tyre. Në total janë 51 pozita për të cilat është shpallur thirrja.

Sipas MPJD-së, dyfishimi i posteve është paraqitur pas bashkimit të dy ministrive, “sepse ka pozita drejtuese te departamente/divizione të ndryshme, të cilat kanë pasur drejtor/udhëheqës me aktemërim edhe në ish-MPJ, edhe në ish-MDIS”.

Për këtë çështje është themeluar edhe Komisioni i ristrukturimit, i cili ka për detyrë t’i rekomandojë të gjithë zyrtarët sipas aktemërimeve që mbajnë dhe kritereve të pozitave të reja se ku duhet të sistemohen.

Por ministrja Donika Gërvalla i kishte sistemuar ish-zyrtarët e Diasporës edhe para miratimit të rregullores së re. Ka angazhuar Hamdi Bërbatovcin si auditor të brendshëm, ndërsa Behar Isma është emëruar drejtor i Akademisë Diplomatike e ushtrues detyre i sekretarit. Vendimmarrjen e kishte kundërshtuar Shoqata Sindikale, sipas së cilës pa miratimin e dokumenteve relevante, ministrja nuk ka pasur të drejtë të fillojë me transferimin e zyrtarëve. Në rastin e sekretarit, sipas tyre, nuk janë plotësuar as kriteret e tjera që kërkohen për një pozitë të tillë të lartë, si grada diplomatike, përvoja në diplomaci. Isma vjen nga një pozitë e ulët dhe nuk mund të konsiderohet ekuivalente derisa ka pasur ngritje koeficienti nga 9 në 16.

Pretendimet për shkelje janë ngritur edhe në Agjencisë Kundër Korrupsionit, ku shoqata ka kërkuar shqyrtimin e ligjshmërisë së emërimeve të Gërvallës, në kuadër të procesit të risistemimit.