Arbëri

Szunyog: E ardhmja e Kosovës është në BE

Ambasadori i i Bashkimit Evropian në Kosovë Tomas Szunyog, deklaroi të hënën në Prishtinë, se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe se nuk ka alternativë tjetër, përveç vazhdimit të ecjes përpara në këtë rrugë.

Duke shënuar Ditën e Evropës dhe përvjetorin e Deklaratës së Schumanit që krijoi themelet për paqen e qëndrueshme mes kombeve evropiane, ambasadori Szunyog vuri në dukje se pa Ballkanin Perëndimor, BE-ja nuk do të jetë e plotë dhe se agresioni rus kundër Ukrainës i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet e përbashkëta për integrimet evropiane të rajonit.

“Jam krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve tona anëtare. Përkundër çfarëdolloj sfidë, solidariteti i BE-së nuk do të zvogëlohet kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt për Kosovën, siç është tani”, tha Szunyog.

Duke theksuar mbështetjen e BE-së, bëri thirrje për përkushtim të vazhdueshëm prej Kosovës për arritjen e progresit në rrugën e saj evropiane.

“Sundimi i ligjit është themeli i një shoqërie të shëndetshme demokratike dhe së bashku me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duhet të mbetet prioritet për institucionet e Kosovës”, tha Szunyog.

2022-ta është viti evropian i rinisë dhe shumica e aktiviteteve të organizuara nga BE-ja në Kosovë për kremtimin e Ditës së Evropës janë të menduara për të rinjtë dhe fokusohen në energjinë e gjelbër, mjedisin dhe digjitalizimin. \ksp