Arbëri

​Kërkohet rikthimi i pakove ushqimore në burgje

Anëtarëve të familjeve që kanë të afërmit e tyre në vuajtje të dënimit, nuk u lejohet që të dërgojnë pako ushqimore në burgje.

Me ndryshimet ligjore të vitit 2017, të burgosurve u ishte mohuar kjo e drejtë. Edhe në projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, të miratuar në parim ditë më parë, ndalohen pakot ushqimore.

Megjithatë, Ministria e Drejtësisë e lë të hapur mundësinë që mes dy leximeve të përfshijë rikthimin e pakove ushqimore.

Ndonëse është një praktikë e mëhershme, organizatat që monitorojnë burgjet e Kosovës, konsiderojnë se kjo e drejtë duhet t'iu rikthehet të dënuarve.

Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, thotë se tash e disa vjet të burgosurit po kërkojnë rikthimin e pakove ushqimore.

“Me ligjet paraprake, me ligjin e vitit 2010 dhe vitit 2013, u ishte njohur si e drejtë dhe u ishte lejuar të burgosurve që të pranojnë një pako ushqimore brenda muajit nga anëtarët e familjes. Ndërkaq, me ligjin e vitit 2017, kur është bërë plotësim-ndryshimi i ligjit të vitit 2013, pa ndonjë diskutim apo arsyetim publik, është ndryshuar kjo dispozitë ligjore, ku të burgosurve u është mohuar kjo e drejtë për një pako ushqimore. Edhe në atë kohë, në vitin 2017, ka pasur një revoltë nga të gjithë burgosurit duke mbajtur edhe greva dhe shkresa të ndryshme”, thekson ajo.

Ajo thotë se gjatë hartimit të këtij projektligji kanë dërguar rekomandimet për rikthimin e pakove ushqimore, por në lexim të parë nuk është përfshirë kjo e drejtë.

“Gjatë vizitave nga zyrtarët institucional u është premtuar që në momentin kur ndryshohet ligji do u kthehet kjo e drejtë, sepse ka qenë kërkesë e vazhdueshme e të dënuarve. Tani me ndryshimin e ri të projektligjit për Ekzekutime të Sanksioneve Penale, i cili gjatë javës së kaluar ka kaluar në lexim të parë, e drejta në pako ushqimore prapë nuk i njihet personave të dënuar”, shton Haliti.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut konsideron se praktika e pakove ushqimore po kundërshtohet pa arsye, meqë edhe pas ndalimit të tyre ka pasur kontrabandë.

“Kjo është një alibi pa mbulesë, për faktin që kontrabanda asnjëherë nuk është ndaluar. Madje është intensifikuar, shkaku që kontrabanda kryesisht është bërë nga stafi. Nëse ju e merrni një pako ushqimore dhe ajo hapet para, kontrollohet nëse ka diçka që ndalohet, atëherë hiqet nga pakoja. Tash ka mundësi teknike më shumë se përpara që thjesht të hulumtohet çdo gjë që është e ndaluar dhe të mos futet brenda”, shprehet kryetari i KMDLNj-së, Behgjet Shala.

Këshilltari politik në Ministrinë e Drejtësisë, Alban Muriqi deklaron se në projektligjin për ekzekutime të sanksioneve penale nuk figuron çështja e pakove ushqimore për personat e dënuar, por ai e zotohet se kjo do të diskutohet mes dy leximeve.

“Ne nuk e dimë saktë se si do të vijojnë diskutimet, por është mirë derisa po diskutohet kjo mundësi për këtë beneficion për të dënuarit. Ministrja e Drejtësisë e tha se për shkak të kontrabandës dhe luftimit të kontrabandës me mjetet e ndaluara dhe çështjet e interesit të shëndetit publik, është mirë që kjo pako të mos shkojë. Mirëpo, gjithsesi është dhënë si mundësi që nëse deputetët e shohin të arsyeshme pas diskutimeve që kjo të kthehet në lexim të dytë”, deklaron Muriqi.

Megjithatë, vet Ministria e Drejtësisë nuk e sheh të arsyeshme rikthimin e pakove ushqimore për të burgosurit në institucionet korrektuese.

“Ne e kemi vlerësuar jo vetëm nga ana e ndërkombëtarëve, por ne e shohim edhe si standard që nuk aplikohet shumë. Është një praktikë e tejkaluar. Ne në shumë mënyra tjera mund të përmbushim këtë nevojë. Shërbimi Korrektues i Kosovës e sheh mundësinë që të zgjerojë mundësitë në kantinë. Tashmë ka disa vjet që pakot ushqimore janë ndaluar dhe të dënuarit janë mësuar. Besojmë se prapë se prapë është më e arsyeshme që të mos ofrohet kjo mundësi për shkak të rreziqeve. Besoj se në këtë frymë do të shkojnë edhe diskutimet. Ne nuk e përkrahim në parim, por nëse deputetët vendosin kur të diskutojnë, ministrja është e hapur që ta rikthejë”, vijon këshilltari politik në MD.

Javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës është miratuar në parim projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, ku ndër tjera është përmendur mundësia e rikthimit të pakove ushqimore. /KSP