Arbëri

Haliti: Ardhja e të burgosurve nga Danimarka do të shkaktojë mbipopullim në burgje

danimarka, burgu, kosova, i denuar, arrestimi

Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, (QKRMT), deklaroi se viteve të fundit, është shënuar progres në kushtet dhe trajtimin e të burgosurve në burgjet e Kosovës, por që siç tha ajo, ardhja e të burgosurve nga Danimarka, do të shkaktojë telashe për vendorët.

Ajo deklaroi të enjten në Interaktiv të KTV-së, se vendosja e të burgosurve nga burgjet e Danimarkës në qendrën korrektuese në Gjilan, do të shkaktojë mbipopullim, me ç’rast, sipas saj, do t’ua keqësojë kushtet të burgosurve aktualë në Kosovë.

Sipas Halitit, në momentin kur të burgosurit e huaj do të vendosen në Gjilan, të burgosurit vendorë në këtë qytet, do të duhet të zhvendosen në burgje të tjera. Ky veprim, thotë ajo, do të shkaktojë mbipopullim.

“Gjatë punës tonë, ne çdoherë i monitorojmë të gjitha sfidat e të burgosurve në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut. Mund të themi që ka pasur progres të kushteve dhe të trajtimit të të burgosurve në Kosovë, mirëpo në momentin kur do të vendoseshin të burgosurit nga Danimarka, do të ndikonin në të drejtat e të burgosurve në Kosovë”, deklaroi Haliti.

Ajo deklaroi se ende nuk dihet marrëveshja me shtetin danez.

“Në momentin që kemi marrë informacionin për këtë marrëveshje, i kemi pasur shqetësimet tona për të drejtat e njeriut e të burgosurve nga Danimarka dhe në Kosovë. Marrëveshja e parë ishte ajo e Belgjikës me Holandën, ku Belgjika i kishte marrë në shfrytëzim burgjet e Holandës. Njëjtë edhe Norvegjia i ka shfrytëzuar burgjet holandeze. Këto shtete kanë hasur në sfida dhe probleme gjatë zbatimit të marrëveshjes në aspektin e të drejtave të njeriut”, shtoi ajo.