Arbëri

Segmenti i autostradës që lidh Maqedoninë me Kosovën nis në janar 2018

Rruga Shkup –Bllacë nuk parashihet në rishikim e buxhetit për shkak se me Buxhetin për vitin 2018 kjo autostradë parashihet të financohet me para buxhetore dhe ndërtimi do të fillojë në janar të vitit 2018.

Deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili, për gazetën KOHA thotë se me rishikim e buxhetit, nuk parashihet se si do të ndërtohet rruga Shkup- Bllacë, sepse është arritur marrëveshje me LSDM-në që me buxhetin e viti 2018, i cili do të jetë gati deri në fund të muajit nëntor të këtij viti, të parashihen mjete buxhetore dhe kjo autostradë të fillojë të ndërtohet në muajin e parë të vitit 2018.

“Rruga Shkup-Bllacë, për të cilën me Qeverinë e mëparshme nuk arritëm që përmes modelit të partneritetit privato-publik të sigurojmë investitorë të huaj që do të merrte përsipër ndërtimin e këtij aksi rrugor që lidh Maqedoninë me Kosovën, me buxhetin e vitit 2018 parashihen mjete financiare dhe kjo rrugë do të fillojë të ndërtohet nga muaji janar i viti 2018”, thotë Ismaili.

Ai njëherit njoftoi se në Komisionin për Financim dhe Buxhet kanë dorëzuar katër amendamente që kanë të bëjnë me financimin e Universitetit “Nënë Tereza”, më shume mjete financiarë për Shtëpinë e “Alfabetit në Manastir” , më shumë mjete financiare për punësime të reja te Avokati i Popullit dhe më shumë mjete financiare për Drejtorinë për menaxhim të krizave.