Arbëri

Konjufca u kërkon durim, deputetët lëshojnë seancën pa e trajtuar pagën minimale

Seanca e së enjtes e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për javën e ardhshme, për mungesë të kuorumit.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Listës Serbe e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, menjëherë pas votimit për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Zgjedhja e dy gjyqtarëve dështoi dhe konkursi do të përsëritet nga fillimi.

Seanca e së enjtes u ndërpre nga kryetari Glauk Konjufca kur duhej të niste shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Konjufca kërkoi nga deputetët që të kenë durim, pasi siç tha janë vetëm edhe pak pika në rend të ditës, e ndër to ajo e vlerësuar si më e rëndësishmja, trajtimi i pagës minimale.