Arbëri

Komunat me shumicë serbe me nivelin më të ulët të performancës

Raporti i përvitshëm i performancës së komunave në Kosovë tregoi se komunat me shumicë serbe kanë përqindjen më të ulët të performancës, sipas Diellor Gashit, drejtor i Departamentit për Performancë dhe Transparencë Komunale.

Në një konferencë për media ai ka thënë se për shkak të keqraportimit, ato komuna kanë treguar edhe shkallë të ulët.

“Në këtë periudhë raportuese kanë raportuar 38 komuna me përjashtim të komunës së Mitrovicës veriore, ku të dhënat nuk janë autorizuar nga kryetari i Komunës dhe si pasojë nuk janë marrë për bazë. Sa i përket rezultateve apo të arriturave, mesatarja e përgjithshme në ushtrimin e kompetencave vërehet në shkallën prej 57.06 %, është përqindje më e ulët se në vitin 2019. Komunat me shumicë serbe reflektojnë me përqindje të ulët të performancës për shkak të keqraportimit”, tha ai.

Sa i përket transparencës komunale, Gashi tha se komunat kanë shënuar përmirësim në krahasim me vitin paraprak.

“Në këtë fushë komunat kanë arritur 77.2% në total dhe 4.7% më shumë se vitin paraprak. Arsimi parauniversitar 67.81%. Infrastruktura rrugore në vlerë 52.30%, 86% e rrugëve janë të shtruara dhe 58% janë mirëmbajtur. Ajo çka duhet komunat të fokusohen është që duhet të punojnë në drejtim të transportit alternativ në ndërtimin e shtigjeve. Edhe uji i pijshëm shënon rritje në krahasim me 2019. Të dhënat tregojnë se 75% janë të kyçur në ujësjellës”.

Gashi shtoi se janë disa gjëra në të cilat komunat duhet të punojnë më shumë, si fusha e zhvillimit ekonomik lokal.

Sipas tij, në përfaqësimin gjinor komunat qëndrojnë më keq se vitin paraprak.

“Megjithëse në kuadër të të punësuarve në institucione komunale kriteri 50% për gra dhe 50% burra sipas të dhënave të komunave është plotësuar, komunat duhet të rrisin intensitetin e punës së tyre në hartimin e planeve vjetore për barazi gjinore si dhe të punojnë në drejtim që gratë të jenë të përfaqësuara më shumë në pozita politike dhe vendimmarrëse”.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se ligji i bazuar në performancë është i rëndësishëm për ngritjen e cilësisë së raportimit të komunave. Tha se me këtë ligj raportimi i performancës do të bëhet obligativ për komunat.