Arbëri

Abdixhiku: Kosova sot është peng i populizmit dhe arrogancës së pushtetit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka nisur të premten Konventën e saj programore, me moton “Lidhja për të ardhmen”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se qëllimi i saj është hartimi i programit ideologjik dhe qeverisës të kësaj partie. Para anëtarëve të LDK-së, udhëheqësi i tyre kritikoi qeverisjen aktuale për mungesë guximi, derisa tha se shteti i Kosovës është peng i populizmit dhe arrogancës së pushtetit. Ndërsa për partinë që udhëheqë, Abdixhiku foli me lëvdata edhe për veprimtarinë në katër dekada të ekzistencës së LDK-së.

“Kjo Konventë programore është thirrur me qëllim të hartimit të programit tonë ideologjik e qeverisës si element bazik i politikbërjes sonë dhe si platformë e komunikimit me qytetarë, profesionistë dhe grupet e interesit dhe së këndejmi dhënies së orientimeve e përgjigjeve ideologjike që LDK duhet t’i bëjë kohës. Në ditën e parë të punës do të diskutojmë mbi 6 shtylla programore tona... Do të flasim për të ardhmen e të djathtës së Kosovës, për politikën e jashtme në sferën e re gjeopolitike, për mërgatën tonë bashkëpunimin rajonal, do të flasim për zhvillimin ekonomik, arsimin e shëndetësinë, për shtetin, sigurinë, mirëqenien avancimin shoqëror siç do të flasim edhe për qeverisjes lokale ku LDK sot ka pushtet kryesor në Kosovë”, u shpreh Abdixhiku.

Sipas tij, Konventa e sotme programore e cila do jetë dyditore për LDK-në është jo vetëm mundësi e rigjenerimit të orientimeve ideologjike, por edhe si formë mobilizuese e të gjitha strukturave politike në Kosovë.

Lideri i LDK-së, Abdixhiku u shpreh se kauzat e kësaj partie ishin për një shtet të lirë dhe sovran të integruar në BE dhe NATO me miqësi të përhershme me SHBA-të.

“Kauzat tona ishin kauza të shtetit të lirë të pavarur dhe sovran të integruar në Bashkim Evropian dhe NATO, dhe me miqësi të përhershme me SHBA-të. Në shërbim të kësaj kauze LDK u vendos përballë fryma populsite, përdoruese dhe keqpërdoruese që Kosovën e shndërruan jo rrallëherë në betejë të papërgjegjësisë politike çmimet e të cilës i paguajmë edhe sot. E shkuara jonë pra është e lavdishme, e ardhmja jonë është e domosdoshme, yjet politikë siç i kanë dhënë LDK-së përgjegjësinë për organizimin për liri për pavarësi, demokraci e shtetndërtim do t’i japim edhe përgjegjësinë për ankorimin e Kosovës në familjen evropiane e euroatlantike. Prandaj, ky moment i yni është një tik, prandaj këtë moment të Kosovës duhet ta kuptojmë drejt dhe mbi të të ndërtojmë lidhjen për të ardhmen me qytetarët tanë. LDK duhet të jetë vendimtare dhe prijëse e proceseve integruese në dekadën e katërt të veprimit të saj”, theksoi ai.

Abdixhku në hapjen e kësaj konvente programore ka hedhur kritika të ashpra karshi qeverisjes aktuale. Sipas tij Kosova udhëhiqet sot nga mosbesues të saj, dhe është e peng i populizmit dhe arrogancës së pushtetit.

Abdixhiku po ashtu tha se jeta e qytetarëve të Kosovës nuk ka qenë asnjëherë më e pasigurt, po aq sa, siç tha ai, është edhe e ardhmja evropiane.

Ai tutje u shpreh se udhëheqja aktuale e vendit ka mungesë të guximit në vendimmarrje dhe mungesë të lidershipit për tu prirë proceseve të mëdha transformuese.

“Republika e Kosovës udhëhiqet sot nga mosbesues të saj, ajo është peng i populizmit dhe arrogancës së pushtetit. Jeta e qytetarëve tanë nuk ka qenë asnjëherë më e pasigurt siç është e pasigurt edhe e ardhmja integruese evropiane e Kosovës. Mungesa e guximit vendimmarrës dhe mbi të gjitha mungesa e lidershipit në Kosovë për t’i prirë proceseve të mëdha transformuese e kanë vendosur Republikën tonë në anën e diskordancës jo rrallëherë me Perëndimin. Kjo përballje po i jep Serbisë secilën ditë hapësirën e saj të avancojë në agjendat e veta e po i minon përpjekjet dhe perspektivën euroatlantike të ndërtuara në dekada. Kjo qeveri populsite as nuk ka vizion e as nuk ka ide sesi do ta përmbyllë procesin e dialogut në krahë me aleatët tanë ndërkombëtar. Ajo nuk po tregon vullnet që të udhëtojë së bashku me partnerët tanë në njërën anë e të mbrojë integritetin, sovranin dhe rendin kushtetueses të Kosovës në anën tjetër”, tha ai.

Abdixhiku ka shtuar se qeverisjes aktuale të Kosovës si LDK do t’i përgjigjen jo duke i imituar ata, sepse siç ka thënë, LDK nuk është sikur partia në pushtet.

Kurse, u shpreh se shtyllat udhëzuese të pandryshueshme për këtë parti mbesin anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE.

“LDK duhet të vazhdojë të kultivojë vlerat e veta të një partie të qendrës së djathtë që do dhe kultivon vlerat nacionale të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë dhe që promovon politika të qendrës së djathtë në ekonomi, në rregullin shoqëror dhe atë shtetëror pa frikë dhe plot mburri. LDK e konsideroi Republikën e Kosovës shteti i pavarur dhe sovran si projekt përfundimtar të pandryshueshëm dhe të përjetshëm, kufijtë shtetëror të Kosovës rendi kushtetues pas shpalljes së pavarësisë dhe sovraniteti territorial në gjithë Republikën e Kosovës për ne është i panegociueshëm dhe së këndejmi i pandryshueshëm. Angazhohet edhe për marrëdhënie të mira me Serbinë dhe me këtë të fundit LDK e sheh dialogun politik të drejtuar drejt njohjes së ndërsjellë si mjet dhe rezultat të vetëm politik”, u shpreh ai.