Arbëri

Kusari-Lila: Opozita e bllokoi themelimin e komisionit për hetimin e krizës energjetike

Descriptive Text

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se opozita në Kuvend e ka bllokuar krijimin e komisionit parlamentar që do ta hetonte krizën energjetike në Kosovë.

Kusari-Lila deklaroi në Interaktiv të KTV-së se orvatjet e partive opozitare për këtë bllokim vazhduan edhe gjatë seancës së enjte, ku siç theksoi deputetja e partisë në pushtet, u bënë gabime procedurale dhe ligjore.

“Në seancën e parë, ne u dakorduam që në procedurë të votimit të mos ketë debat. Prapë hyri në debat parlamentar kreu i Grupit Parlamentar të PDK-së, dhe na solli në një pozitë që përkundër dakordimit për votim, ne nuk e votuam. Krejt procedura tjetër ishte orvatje e opozitës të tregojë që mund t’ia del vet. Pas disa trajtimeve, në mbledhjen e Kryesisë kërkuam ta lironim një grup parlamentar”, tha Kusari-Lila.

Ajo potencoi se kanë propozuar komision të ri hetimor që do t’i lironte të gjitha grupet parlamentare nga barrat e inicimit, por që siç theksoi, nuk u pranua nga opozita.