Arbëri

Ministria e Bujqësisë hap periudhën e aplikimit për subvencione

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur të martën periudhën e aplikimit për subvencione për disa kultura dhe aktivitete bujqësore.

Sipas njoftimit të MB-së, periudha e aplikimit zgjatë 30 ditë që nga dita e shpalljes publike, ndërkaq aplikimi për të përfituar subvencione bëhet në zyrat e Drejtorive Komunale për Bujqësi.

Ministri i këtij dikasteri, Faton Peci, i ka ftuar të gjithë fermerët në Kosovë që të aplikojnë për mbështetje në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2022.

“Është hapur sot aplikimi për Programin e Pagesave Direkte / Subvencioneve 2022. Ky program arrin vlerën prej minimum 50 milionë euro dhe parasheh rritje të konsiderueshme për shumicën e kulturave bujqësore”, ka thënë Peci.

Ndërkaq, të gjitha informatat e hollësishme për kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, fermerët mund t’i marrin në web faqen e MBPZhR-së, https://www.mbpzhr-ks.net dhe në webfaqen e AZhB-s, www.azhb-ks.net, si dhe në drejtoritë komunale për Bujqësi.