Arbëri

Abdixhiku: Skandali me ambasadorin, arsyeja për mosformimin e komisionit për energjinë

Descriptive Text

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka lidhur skandalin financiar ku po raportohet si i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, me mosformimin e komisionit hetimor për energjinë elektrike.

Ai kërkoi tërheqjen e ambasadorit, formimin e komisionit dhe shkarkimin e Bordit të Rregullatorit, duke shtuar se pa i bërë këto nuk do ta ndalin bojkotin e votimit në Kuvend.

“Sepse s’ka ligj, s’ka temë e s’ka çështje tjetër më me rëndësi se sa kjo me energji. Do ta zbardhim të vërtetën herët apo vonë. Deri atëherë, tërheqja e menjëhershme e ambasadorit të komprometuar tani, formimi i Komisionit Hetimor, e shkarkimi i Bordit të Rregullatorit - që ende refuzon vendimin e Gjykatës rreth tarifave - janë hapa të parë në këtë drejtim”.

“Shpërthimi i skandalit me ambasadorin në Slloveni dhe tani zgjerimi i tij edhe në rajon, është arsyeja e vërtetë e rezistencës së pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook të shtunën se asnjë aryetim për refuzimin e komisionit nuk ka pasur kuptim.

Ka thënë se duhet të hetohet menaxhimi i krizës energjetike në vend si është bërë nga Qeveria Kurti.

“As arsyetimi i luftës në Ukrainë, prandaj - merreni me mend - s’duhej të bëhej ky hetim; as preteksti i ligjshmërisë së nënshkrimeve nuk kishin kuptim. Vetëm një hall i madh prodhonte arsyetime të pashpresa si këto. Por sa më i zëshëm refuzimi i tyre, aq më i domosdoshëm bëhej insistimi ynë. Sot, hetimi parlamentar nuk ka alternativë. Ky skandal, dhe të tjera skandale të renditura në shpenzimin e plot 120 milionë eurove edhe shtrenjtimin e faturave deri në 100%, duhet të gjejnë dritë. Kriza energjetike është një piramidë keqmenaxhimi, neglizhence e tani dhe krimi. Këtë piramidë duhet dhe do ta shembim të gjithë”.