Arbëri

Operatori nga Shqipëria furnizon Kosovën me grurë për rezervën shtetërore

Descriptive Text

Furnizimi i rezervave të shtetit të Kosovës me grurë nga një operator i Shqipërisë ka bërë që të paktën në statistika, Shqipëria të shënojë një rekord të eksportit të drithërave në Kosovë me 3030 tonë për vetëm një muaj, krahasuar me 4800 tonë sa janë treguar gjithsej nga viti 2005 deri më 2021. Gruri i importuar gjatë muajit mars është kontraktuar nga Qeveria për nevojat e Rezervës Shtetërore

Mbi tre mijë tonë grurë që janë eksportuar brenda muajit mars nga Shqipëria në Kosovë, janë blerë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa që për sigurimin e saj është kontraktuar kompania “Besniku shpk”, me pronar Dervish Domin. Kompania ka selinë e saj në periferi të Tiranës.

“Në muajin mars kam dërguar në Kosovë tre mijë tonë grurë të kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për rezervat e shtetit. Gruri ka si origjinë Francën”, ka thënë Domi për KOHËN.

Furnizimi i rezervave të shtetit të Kosovës me grurë nga një operator i Shqipërisë ka bërë që të paktën në statistika, Shqipëria të shënojë një rekord të eksportit të drithërave në Kosovë për muajin mars, që është afërsisht sa sasia që është eksportuar nga viti 2005 deri më 2021 (gjithsej 4800 ton). Shifrat e publikuara nga Instituti Shqiptar i Statistikave në Shqipëri (INSTAT) tregojnë bëhet fjalë për rreth 3120 tonë drithëra të eksportuara në Kosovë dhe vendet e rajonit. Më saktësisht, drejt Kosovës janë eksportuar 3030 tonë, ose 96.8% e totalit të eksportit të drithërave nga Shqipëria gjatë marsit. Pjesën e mbetur ndërkohë, rreth 3.2% e ndajnë Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, Franca prej nga pohohet të jetë sjellë gruri për nevojat e rezervës shtetërore të Kosovës, është vetëm njëra nga shtetet prej nga kompanitë e Shqipërisë importojnë drithëra. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, katër kompani të tregtimit dhe përpunimit të drithërave punojnë, po ashtu edhe me Serbinë.

“Sasia prej 32 mijë tonë grurë janë kontratat që kanë lidhur katër kompanitë e Shqipërisë me Serbinë. Nuk janë kontrata të reja. Me këtë rast, Serbia do të furnizojë sasinë e kontraktuar dhe do të bllokojë furnizimin në vijim. Edhe vetë Serbia importon grurë”, ka thënë një zyrtar i Doganës së Durrësit.

“Besniku shpk”, është njëra nga kompanitë kryesore që operojnë në tregun e drithërave në Shqipëri.

“Pavarësisht premtimit të Serbisë për 32 mijë tonë të kontraktuar ende kemi shumë probleme”, ka theksuar pronari i saj, Dervish Domi.

Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë shpallur ndalim të eksportit të drithërave, miellit dhe vajit të gatimit, si masë për ndalimin e rritjes së çmimeve të shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë. Por Serbia ka bërë përjashtim për Shqipërinë. Presidenti Aleksandër Vuçiq ka bërë me dije më 24 mars se qeveria në Beograd do të bëjë përjashtim nga vendimi për eksportin e grurit dhe se 32 mijë tonë grurë dhe një sasi më e vogël e misrit do të shkojnë në Shqipëri. Në këmbim të kësaj, Serbia do të importojë sasi të mëdha nafte çdo ditë, që do të vijnë me anije nga Lindja e Mesme drejt portit të Durrësit dhe kjo do të bëhet po ashtu në kuadër të Ballkanit të Hapur. Sipas presidentit të Serbisë, nafta nuk mund të transferohet lehtë nëpër Detin e Zi, për shkak të kompanive të sigurimit dhe pasigurive nëse do të ketë një konflikt dhe më të zgjeruar rreth portit ukrainas të Odesas.

Në bazë të shifrave të publikuara nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT), Kosova renditet në tri vendet e para ku Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, bashkë me Gjermaninë dhe Italinë. Për muajin mars të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra që kapin vlerën e 31.5 milionë eurove, krahasuar me 25.2 milionë euro që ka eksportuar një vit më parë. Kështu që eksportet e Shqipërisë në Kosovë për muajin mars kanë shënuar një rritje prej 25.2%, krahasuar me një vit më pare. Sipas informacionit të publikuar, grup-mallrat që Shqipëria ka eksportuar më shumë në Kosovë janë materiale ndërtimi dhe metale; produkte kimike dhe plastike; minerale, lëndë djegëse, energji elektrike; ushqim dhe duhan.