Arbëri

FAZ: Kosova “shumë shpejt” aplikon për pranim në Këshill të Evropës

Kosova mund të jetë shumë shpejt anëtare e Këshillit të Evropës, sipas raportimit të Frankfurter Allgemaine Zeitung, që sipas burimeve ka thënë se Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për pranim menjëherë pas zgjedhjeve në Francë, me gjasë në maj.

“Kjo mund të shpije në pranimin e Kosovës më 2023”, ka raportuar FAZ të premten.

Kosova është optimiste për pranimin, sidomos pas përjashtimit të Rusisë, që e bënë të pavlefshme çfarëdo kampanje të Beogradit kundër pranimit të Kosovës.

Për dallim nga Kombet e Bashkuara ku Rusia ka fuqinë e vetos, në Këshill të Evropës pranimi mund të bëhet me vetëm 31 nga 46 votat e mundshme. Nga 46 anëtaret, 34 e njohin Kosovën.

Në mes të prillit, presidentja Vjosa Osmani konfirmoi synimin për pranim në Këshill të Evropës.

Ditë më parë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, u shpreh se gjasat janë të mëdha për pranim, por shtoi se të mëdha janë edhe vështirësitë.

“Ne kemi qenë duke punuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kjo punë është dinamizuar, se kur do të aplikojmë nuk është vendosur, por se do të aplikojmë kjo është e qartë. E di që cilësohet si një organizatë ku gjasat janë më të mëdha dhe kjo është e vërtetë, por edhe vështirësitë janë të mëdha, pasi procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe kalon në disa faza dhe secila fazë ka vështirësitë e saja. Prandaj, ne me gjitha kapacitete tona por edhe ndihmën e akademikëve tanë, shoqërinë civile, jemi duke bashkëpunuar që t’i identifikojmë të gjitha këto vështirësi”, ka deklaruar ai.

Vendi i fundit që është pranuar në Këshill të Evropës është Mali i Zi. Pati nisur procedurat e aplikimit më 2006 dhe u bashkua 11 muaj pas nisjes. “E njëjta procedurë e shpejtë mund të jetë e mundshme edhe për Kosovën”, ka thënë korrespodenti për Evropën Juglindore i kësaj gazete, Michael Martens.