Arbëri

Petkoviq: Marrëveshja e përkohshme për targat është ende në fuqi

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se në mungesë të një marrëveshjeje të përhershme për targat, regjimi i mbulimit me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targa do të vazhdojë.

Kosova dhe Serbia dështuan të arrinin një marrëveshje për targat, gjatë takimit të mbajtur më 21 prill në Bruksel, në ditën kur skadon afati i marrëveshjes së përkohshme për targa, që u arrit më 30 shtator.

“Marrëveshja e nënshkruar më 30 shtator është ende në fuqi. Duhet të jeni të qetë. Askush nuk duhet të shqetësohet. Marrëveshja për regjimin e letrave ngjitëse është ende në fuqi. Derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në një nivel të lartë, regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë”, tha ai.

Petkoviq akuzoi Kosovën se nuk ka qenë e gatshme për asnjë propozim gjatë gjashtë muajve sa kanë funksionuar grupet punuese për targat. Por, një akuzë të tillë e ka bërë edhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se Serbia nuk ishte e gatshme të pranonte asnjë zgjidhje të përhershme për targat dhe as nuk pranoi që të ketë një afat prej 30 ditësh për të gjetur një zgjidhje.

“Nëse nuk ia dolën për gjashtë muaj, atëherë a mund ta bëjnë për 30 ditë? Ne kujdesemi për paqen dhe stabilitetin dhe do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur interesat e popullit tonë, por edhe për të shkuar drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Petkoviq pas takimit në Bruksel.

Ndërkaq, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se u mbetet krerëve shtetërorë se si të vazhdohet tutje , por shtoi se “ne do ta trajtojmë lirinë e lëvizjes siç e trajton edhe pala serbe”.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, u ka kërkuar palëve që të takohen në ditët e ardhshme për të biseduar për çështjen e targave./REL/