Arbëri

Uka: Qeveria Kurti po kritikohet për veprimet e qeverive të kaluara

fitim uka, albin kurti, qeveria kurti, psikolog, deputet, profesor, UP, koha,

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, deklaroi se në disa raste, Qeveria Kurti po kritikohet edhe për veprimet e ndërmarra nga qeveritë e kaluara.

Ai deklaroi të mërkurën në “Java Sonte me Rronin” se tash e 20 vjet, disa shkolla të Kosovës ende nuk kanë projektorë dhe kompjuterë, derisa shtoi se për këtë realitet po sulmohet Qeveria Kurti.

“Besoj se nëse e shohim këtë qeverisje si sekuencë në këtë një vjet e pak muaj sa e kem në pushtet, edhe mund të jemi të ashpër në atë se çka ka ndodhur në procesin e arsimit. Qeverisja e VV-së akuzohet, ka tendencë që ata përreth që merren me arsim ta akuzojnë për gjerat që kanë ndodhur në qeverisjet e kaluara. Ka qenë një realitet i vazhdueshëm për 20 vjet në Kosovë. Një prej të dhënave prej Rrjetit Rinor, fëmijët dhe adoleshentët nuk e ndjejnë vetën si pjesë e procesit”, deklaroi Uka, që njëherit është asistent në Universitetin e Prishtinës.

Ai shtoi se rritja prej 12 për qind e buxhetit të arsimit është akt i mirë, pasi mund të kontribuohet më shumë në këtë fushë. Uka theksoi se e ka menduar dorëheqjen nga posti i deputetit për t’iu përkushtuar angazhimit profesional.

“Asnjëherë s’kam thënë se do të jap dorëheqje nga VV-ja, por në stazhin profesional, kam pasur mëdyshje për angazhimin në politikë si deputet. Kam gjykuar se meqë e shoh se kontributi im më VV mund të jetë shumëdimensional, e kam gjykuar që t’i kthehem UP-së, të më mundësohet avancimi profesional”.

Ai ka thënë se është pro vlerësimit të jashtëm të të gjithë mësimdhënësve.


Uka: VV-ja nuk ma ka kërkuar dorëheqjen nga Kuvendi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka deklaruar se dorëheqja e tij nga ky post për të vazhduar angazhimin e tij si ligjërues në Universitetin e Prishtinës, nuk i është kërkuar nga partia që i përket.

I ftuar të mërkurën në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV, Uka ka thënë se dorëheqjen nga Kuvendi i Kosovës e ka paralajmëruar shumë më herët në rast se i duhet të zgjedhë midis dy pozitave.

“Edhe pse kam zgjedhur UP-në, është një përgjegjësi që e kemi marrë ndaj qytetarëve duke u zgjedhur në pozitën e deputetit dhe nuk është e lehtë dorëheqja. Kam njoftuar personalisht brenda Lëvizjes se tërheqja nga posti i deputetit është ajo që do ta zgjedhë po të kërkohet të zgjedh midis saj dhe kontributit tim në UP. Dorëheqja nuk më është kërkuar asnjëherë nga partia”, ka thënë ai.

Uka ka deklaruar se pavarësisht se nuk do të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, do të vazhdojë të kontribuojë brenda strukturave të partisë.

Uka është deklaruar edhe për kolegët e tij brenda Universitetit, të cilët kanë pasur plagjiaturë në punimet e tyre për avancime. Ka thënë se këta individë duhet të ndëshkohen dhe këtë e ka kërkuar edhe gjatë fjalimeve të tij si deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Nuk ka fjalim që unë e mbaj në Kuvendin e Kosovës e ku nuk them që brenda Universitetit të Prishtinës ka individë që kanë bërë plagjiaturë dhe kërkoj që këta individë të ndëshkohen për këtë dhe nuk do të ndalem as tash e tutje sepse besoj që kriteret për avancim janë të qarta. Ftoj që të gjithë të jenë vigjilentë se si këta individë avancohen dhe a i plotësojnë ato kritere apo jo. Në asnjë rrethanë nuk do të gjejë kompromis me ata që kanë bërë plagjiaturë”, ka thënë ai.

Uka ka thënë se bazuar në të dhënat që i ka, gjendja në arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë është alarmante dhe për këtë kërkohet reformë rrënjësore në fushën e arsimit.

Kjo sipas tij më së miri mund të ndodh duke u treguar fillimisht gjendja në terren dhe duke u pranuar realiteti.