Arbëri

Vëllai i Oliver Ivanoviqit: Vrasja ishte e motivuar politikisht

Descriptive Text

“Është e sigurt që nuk ka pasur kurrfarë arsyeje tjetër përpos asaj politike”, ka thënë Mirosllav Ivanoviq, i cili dëshminë do ta vazhdojë edhe të mërkurën. “Konfliktet e tij, me dozën më të madhe të agresivitetit, kanë qenë të drejtuara ndaj Listës Serbe, si organizatë politike, dhe esenca e tyre është e primatit politik, konkretisht zgjedhjet për kryetar të Komunës së Mitrovicës”

Ish-gjyqtari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë është paraqitur të martën para kolegëve të tij në cilësinë e dëshmitarit. Mirosllav Ivanoviq ka shpalosur dyshimet e tij lidhur me vrasjen e të vëllait, Oliver Ivanoviq.

Për dëshminë e tij, të pranishmit është dashur të prisnin rreth 2 orë, meqë ishte keqkuptuar data e dëshmisë së tij.

Seanca e paraparë për orën 9:30 ka nisur në 13:00.

Ai, gjatë dëshmisë triorëshe, ka përmendur disa herë emrin e Millan Radojçiqit si pjesëtar i grupeve kriminale që operuan në veri të Mitrovicës. E vrasjen e kryer më 16 janar të vitit 2018 e kategorizoi si të motivuar politikisht.

“Është vështirë të vlerësohen këto çështje dhe të vihet deri te një përfundim për to. Por është e sigurt që nuk ka pasur kurrfarë arsyeje tjetër përpos asaj politike”, ka thënë Ivanoviq, i cili dëshminë do ta vazhdojë edhe të mërkurën. “Konfliktet e tij, me dozën më të madhe të agresivitetit, kanë qenë të drejtuara ndaj Listës Serbe, si organizatë politike, dhe esenca e tyre është e primatit politik, konkretisht zgjedhjet për kryetar të Komunës së Mitrovicës”.

E teksa ka folur për raportet me të vëllanë, ai nuk ka mundur t’i mbante lotët. Ka thënë të ketë pasur raporte shumë të mira, por ka thënë se Oliver Ivanoviq kurrë nuk i kishte folur rreth kërcënimeve që i ka pasur.

“Ne të dy nuk jemi ndarë asnjëherë. Ai ka qenë vëllai i madh tipik dhe pas vdekjes së prindërve ai e ka marrë rolin e të menduarit për të gjithë në familje. Nuk na ka folur në detaje për njësitë e tij (Radojçiqi tv.j.) për arsye se ka dashur që të na mbronte”, ka thënë Ivanoviq gjatë dëshmisë.

Ish-gjyqtari është pyetur edhe rreth publikimeve të fundit nëpër media mbi kryerësit e vrasjes së Oliverit, por ka thënë se nuk e ka njohur askënd tjetër përveç Zvonko Veselinoviqit.

Mirosllav Ivanoviq, i cili tashmë është në pension dhe jeton mes Mitrovicës së Veriut e Beogradit, është pyetur nëse ka pasur informacione për djegien e veturës së vëllait të tij gjatë 2017-s.

“Djegia e veturës ka ndodhur në kohën kur ka filluar fushata zgjedhore për kryetar të Mitrovicës. Nuk i di detajet, por nga bisedat me Oliverin dhe Milenën e kam kuptuar që Oliveri i kishte emrat e 3 personave të cilët seriozisht dyshohen se e kanë bërë atë. Kam njohuri që Oliveri regjistrin me emrat e personave e ka dorëzuar në Polici”, ka thënë Mirosllav Ivanoviq, vëllai i politikanit të vrarë në veriun e vendit të banuar kryesisht me serbë.

Në seancat e radhës pritet që si dëshmitare të paraqitet partnerja e Ivanoviqit, Milena Popoviq.

Më i përmenduri në të gjithë procesin gjyqësor për vrasjen e Ivanoviqit ishte emri i Millan Radojçiqit. Dëshmitarët e paraqitur në seancat e shkuara kanë theksuar se ishte ai njeriu që ka udhëhequr grupet kriminale në veri të Kosovës.