Arbëri

Konjufca deklarohet i pafajshëm për gazin lotsjellës

Descriptive Text

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se në gusht të 2016-ës, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

“Për këtë që më akuzoni ndihem plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Konjufca në seancën fillestare të martën, raporton “Betimi për Drejtësi”

“Veprimi im ka qenë në atë kohë, gati para 6 viteve, plotësisht politik dhe konsideroj që për veprimin që e kam bërë e kam ndier veten të obliguar që ta bëj dhe kjo thirrje më ka ardhur edhe prej betimit që e kam bërë si deputet i Kosovës, me ç‘rast kur jam betuar kam deklaruar që me çdo kusht dhe me çdo mjet do ta mbroj sovranitetin dhe integritetin e Republikës se Kosovës”, ka shtuar ai gjatë deklarimit të tij rreth fajësisë.

Më pas, gjykatësja e rastit Edita Çanta e ka njoftuar Konjufcën me të drejtën se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqesë kërkesë për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale. Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe deputetët janë detyruar të braktisin sallën.

Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /Betimi për Drejtësi