Arbëri

Portali KOHA tash e tri ditë cak i sulmeve kibernetike

Portali KOHA.net, cak i sulmeve kibernetike nga 16 prilli

Ka tri ditë qëkur serveri i portalit KOHA është nën sulm të vazhdueshëm kibernetik.

Që nga e shtuna e 16 prillit, uebfaqja KOHA.net ka probleme, që dyshohet të jenë sulme për ta nxjerrë jashtë funksionit të saj, e që njihen si sulme DDoS.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli, ka njoftuar se rasti është ende duke u hulumtuar dhe në këtë drejtim janë duke punuar bashkë me Policinë e Kosovës, dhe se tani për tani nuk mund të japë shumë detaje.

“Njëherë jemi duke hulumtuar rastin, ende nuk kemi marrë rezultate. Jemi në bashkëpunim me Policinë dhe në këtë fazë nuk është se mund të themi shumë për këtë rast”, ka thënë Doli.

Për rastin është deklaruar edhe Policia të dielën. Duke e cilësuar si “hyrje në sistemet kompjuterike”, Policia ka thënë se faqja ka qenë jashtë funksionit për dy orë gjatë së shtunës.

Po pse ndodhin sulmet kibernetike?

Doli ka thënë se këto sulme kanë për qëllim prej pengimit të punës së kompanive deri te marrja nën kontroll e komunikimeve të brendshme.

“Ekzistojnë lloje të ndryshme të sulmeve kibernetike, për qëllim kanë marrjen nën kontroll të komunikimeve elektronike, sulmi më i popullarizuar është ai që njihet si sulmi me virus. Me këtë lloj të sulmit infektohet me virus shfrytëzuesi i serverit me ç’rast ai bëhet sulmues apo infektues ndaj kompjuterëve te tjerë. Përmes këtij veprimi hakerët marrin nën kontroll të gjithë kompjuterët e infektuar”, ka thënë ai.

Sipas Dolit, sulmet në infrastrukturën e brendshme të IT-së brenda kompanive parandalohen duke aplikuar masa mbrojtëse, si dhe duke vetëdijesuar stafin për rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe masave parandaluese.