Arbëri

Konjufca: Ne po i nderojmë të rënët për liri, Serbia kasapin e vet që vrau mbi 160 mijë njerëz

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kujtuar dëshmorët dhe martirët e rënë në rajonin e Llapit e Gollakut në tubimin përkujtimor që është mbajtur në nder të 23-vjetorit të të rënëve për liri në këtë zonë.

Gjatë fjalimit në këtë tubim, Konjufca ka thënë se Kosova po u bën homazhe të rënëve që kanë derdhur gjak për liri, e në të njëjtën kohë Serbia po bën homazhe tek ish-kryetari i saj, Sllobodan Millosheviq, për fajin e të cilit vdiqën mbi 160 mijë civilë në shumë vende të Ballkanit.

“Jemi mbledhur këtu që t’i kujtojmë 227 të rënët që kanë dhënë jetën për lirinë e popullit tonë. Vetëm gjatë luftës së fundit gjenocidi i Serbisë i ka vrarë mbi 12 mijë qytetarë shqiptarë në Kosovë dhe përgjegjësi është shumë i qartë për të gjitha këto krime me mbi 300 masakra anë e kënd Kosovës. Nëse ju e përcillni sot se çfarë po flet kryetari i Serbisë e kryetari i Parlamentit të saj, Serbia po i bën homazhe Millosheviqit, ne po u bëjmë homazhe të rënëve që kanë derdhur gjak për liri. Serbia po i bën homazhe kasapit të vet që i la të vdekur mbi 160 mijë qytetarë të popujve të ndryshëm në Ballkan”, ka thënë ai.

Glauk Konjufca ka thënë se do t’i kujtojnë e do t’i nderojnë gjithmonë të rënët për liri.

“Sepse dëshmorët që e dhanë jetën me pushkë në dorë e martirët që e derdhen gjakun për lirinë e Kosovës, e kanë dhanë jetën që këta fëmijë të vegjël që po i shoh sot këtu të mund të jetojnë të lirë e ta gëzojnë Kosovën tonë të lirë”.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka quajtur masakrën e Dyzit si masakrën më të madhe në Kosovë.

“Jemi mbledhur sot këtu në këtë ceremoni përkujtimore në nderim të viktimave të vrarë në masakrën e Dyzit, e cila është prej masakrave civile më të mëdha në Kosovë. Më 18 prill të vitit 1999, njësitë kriminale ushtarake dhe policore serbe vranë dhe masakruan 62 civilë burra, gra dhe fëmijë të gjithë të paarmatosur dhe të pambrojtur. Në ofenzivën serbe e cila zgjati katër ditë duke filluar nga fshati Bellopojë, Dyz deri në Makofc, njësitë kriminale policore dhe ushtarake serbe vranë dhe masakruan mbi 200 burra, gra dhe fëmijë”, ka theksuar Shpejtim Bulliqi.

Sipas tij, lufta dhe përpjekja e Kosovës për çlirim ishte e jashtëzakonshme.

“Pushtuesi po persekutonte, përndiqte e po vriste qytetarët e pafajshëm të Kosovës me të vetmin qëllim shfarosjen e popullit shqiptar dhe okupimin e tokave tona. Datat si kjo e përvjetorëve për të rënët na përshkojnë me emocione të përziera, të dhembjes, por edhe të krenarisë të nderimit të përjetshëm për dëshmorët dhe martirët, por edhe mirënjohje për miqtë tanë ndërkombëtarë që na u gjetën në betejat e lirisë dhe pavarësisë”, është shprehur kryetari i Komunës. “Liria përveç çmimit e ka edhe obligimin e madh. Shansin e kemi bashkërisht të përkushtohemi për zhvillim e prosperitet, për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë. Ne që përfaqësojmë institucionet e kemi edhe barrën më të madhe të përgjegjësisë, të kërkesës tonë për vënie të drejtësisë për viktimat që ranë në luftën për lirinë e Kosovës, por edhe në shtetndrëtimin e Kosovës”.

Njëri nga organizatorët, Bedri Llapashtica, ka thënë se do t’i mbjellin 227 drunj kushtuar secilit të vrarë në prill të vitit 1999.

“Duke i kujtuar të gjithë dëshmorët dhe martirët e luftës që ranë në prill të vitit ’99 në rajonin e Llapit e Gollakut, ne Këshilli organizativ në mbështetje të Komunës kemi siguruar 227 drunj që sot do t’i mbjellim këtu, kushtuar secilit të vrarë në këtë periudhë. Me këtë, ne çdo ditë do t’i shohim dëshmorët, do t’i shohin familjet e tyre, do të shohim sakrificën e popullit tonë. Parkut të lirisë sot do t’i shtohen edhe drunjtë e dëshmorëve dhe martirëve, nën hijen e të cilëve do t’i rrisim fëmijët tanë”, është shprehur Llapashtica. “Mbi sakrificën e familjeve tona, ne fituam lirinë. Ne kemi obligim që jo vetëm t’i përkujtojmë ata nëpër përvjetore apo tubime, por detyra jonë e secilit është ta ruajmë këtë liri, ta ruajmë shtetin dhe të mendojmë për gjeneratat që vijnë që ata të mos e përjetojnë atë që e përjetuam ne në të kaluarën”.