Arbëri

LDK: Liria e shprehjes është cenuar për mediat sipas raportit të DASH-it

Mjekiqi: Liria e shprehjes është cenuar për mediat sipas raportit të DASH-it

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësime në lidhje me raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) duke e specifikuar atë ku thuhet se pati tentime për frikësim të përfaqësuesve të mediave nga politikanë, persona publikë, biznese dhe grupe fetare.

Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, tha se liria e shprehës shpesh herë është cenuar nga pushteti.

“Disa çështje serioze që trajtohen në raportin e fundit të raportit të DASH-it dhe raporteve tjera ndërkombëtare. Liria e shprehjes e cila është e garantuar me Kushtetutë është cenuar për mediat e gazetarët duke iu referuar raporteve kredibile, ku disa politikanë e të tjerë kanë ndërhyrë e kanë ushtruar presion ndaj tyre”, tha Mjekiqi.

Ajo ka thënë se LDK i dënon sulmet ndaj mediave dhe se liria e shprehjes duhet të respektohet e të mbrohet edhe kur janë kritike ndaj qeverisë.

“Mediat kanë rol të jashtëzakonshëm në mbikëqyrjen e punës së qeverisë. LDK dënon praktikën e sulmeve ndaj mediave. Mosndëshkimi nga ana e qeverisë jep një shembull të keq. Sundimi i ligjit për vitin 2021 është karakterizuar me mangësi të shumta dhe mosveprim nga ana e qeverisë. Sipas raportit, shumë zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të mbajnë pozita të larta vendimmarrëse”, tha tutje ajo.

Ajo tha se edhe numri i rasteve që kanë rezultuar me dënime ende mbetet i ulët. Ajo përmendi edhe shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së.

“LDK kërkon që qeveria ta marrë seriozisht raportin e DASH-it dhe jo ta injorojë atë. Po të vazhdojë kjo praktikë e shkeljes së ligjit, raportet e ardhshme do të jenë edhe më shqetësuese. Sa i përket mostransparencës së qeverisë, si LDK kemi shprehur pakënaqësinë karshi raporteve me rëndësi”, tha tutje ajo./ EkonomiaOnline