Arbëri

“Ekskursioni” jashtë vendit i 30 zyrtarëve nxit përplasje përbrenda KQZ-së

Descriptive Text

Pjesëmarrja e një numri kaq të madh të zyrtarëve në udhëtimin e punës ka bërë që në mbledhjen e këtij institucioni të shpërfaqen përplasje mes anëtarëve të partisë në pushtet dhe atyre të opozitës. Anëtari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se kjo pjesëmarrje ngjan në ekskursion dhe bëhet për të siguruar sa më shumë mëditje

Lista e pjesëmarrësve në një punëtori të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve jashtë vendit është bërë mollë sherri në mes të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë dhe Sekretariatit e anëtarëve të partive opozitare në anën tjetër.

Ndonëse punëtorinë për ndryshimin e rregullave zgjedhore e financon edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, përfaqësues të partisë në pushtet e kundërshtuan zgjatjen e listës nga 21 në 30 persona. Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, e quajti udhëtimin “ekskursion”.

“Janë bërë 30 dhe ta dimë se për çfarë saktësisht. Se kush për çfarë do të vijë. Ne na është dërguar lista. Unë aty i kam parë emrat dhe për disa jam sigurisht i bindur se nuk kanë asnjë punë për të bërë dhe po më bind ajo që e kam thënë para disa ditësh që në të vërtetë këtu është punë ekskursioni, për të larë ndonjë borxh a diçka, të marrin ca para, për ta larë ndonjë kredi apo diçka. Por, nuk ka nevojë të vijë hiç”, ka thënë Kurteshi.

Pjesëmarrjen e madhe e ka justifikuar kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Etemaj, i cili e ka quajtur komentin e Kurteshit si të pakuptimtë.

“Po më duket pa sens të bisedojmë këtu për emra. KQZ-ja të diskutojë për emra dhe kush të marrë pjesë e kush të mos marrë pjesë. Ky është vlerësim i kryeshefit, në bazë të asaj se kush mund të japë kontribut. E keni... pasi erdhën në këtë pikë e keni propozimin që është lista prej 21 zyrtarëve që duhet të marrin pjesë në punëtori. Nëse mendoni që nëntë të tjerët nuk duhen, atëherë nuk marrim pjesë hiç. Edhe shkojmë ose mund të shkojë vetëm KQZ-ja në punëtori pa Sekretariat”, ka thënë ai.

Alim Rama, anëtar i KQZ-së nga radhët e LVV-së, e ka cilësuar si të papranueshëm dhe arrogant këtë qëndrim të shefit të Sekretariatit.
“Sigurisht që kemi nevojë t’i trajtojmë edhe rregulloret administrative, ku rol kyç do të luajë Drejtoria e Administratës dhe Financave, por asnjë prej këtyre nuk janë rregullore që kanë të bëjnë me çështjet administrative dhe financiare. Asnjë! Unë e mora atë si shembull sepse: (v.j. ka edhe të tjera), si zyra për financa me operacione zgjedhore. Asnjë prej tyre nuk ka të bëjë me operacione zgjedhore. Arrogancë... unë thotë i emëroj si të dua apo pa sens. Prita nga kryeshefi që ta justifikojë punën e tij. Kryeshefi i raporton këtij trupi të KQZ-së. E ne nuk e kemi marrë atë informatë. Për mua kjo sjellje e kryeshefit është e papranueshme”, ka theksuar ai.

Në mbrojtje të propozimit të Sekretariatit ka dalë Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës. Ai ka thënë se pjesëmarrja e stafit shtesë në punëtori është e domosdoshme.
“Ne mund të shkojmë vetëm KQZ-ja dhe drejtorët e departamenteve. Nëse mendoni ju që mund të jetë një numër pak më i kufizuar, unë mendoj që kemi nevojë edhe për staf mbështetës. Mendoj që aty ka vend edhe zëdhënësi, sepse, mbi të gjitha, ai duhet të jetë njeriu më i informuar në këtë institucion”, ka potencuar Gashi.

Planifikimi i buxhetit për këtë punëtori ishte miratuar me shumicë dërrmuese prej 8 votash. Kundër kanë votuar vetëm dy anëtarët nga radhët e partisë në pushtet. Sipas burimeve të KOHËS, punëtoria pritet që të mbahet në Maqedoninë e Veriut. Sipas vendimit të KQZ-së, shpenzimet mbulohen për 9 zyrtarë shtesë dhe 20 për qind e mëditjeve për 21 zyrtarët e tjerë. Me planifikimin e saj KQZ-ja do të shpenzojë një vlerë të përafërt prej 7.670 eurosh.