Arbëri

Studentët i konsiderojnë të pamjaftueshme 100 euro nga shteti

studentet, qeveria, UP, 100 euro

Ndonëse e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për muajin prill, përfaqësuesit e studentëve ka thënë se një shumë e tillë nuk është e mjaftueshme për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet pas ngritjes enorme të çmimeve.

Lirie Murati, studente në Fakultetin Teknik, ka thënë se shpreson që këto ndihma nuk do të ndalen. Ajo tregon se një shumë e tillë do t’i duhet vetëm për literaturë dhe shpenzime teknologjike, pasi në drejtimin që ajo ndjek, nuk ka infrastrukturë për praktikë në hapësirën e Fakultetit.

“E kemi mirëpritur faktin që kjo Qeveri ka filluar të mendojë për studentët. Kjo është një shumë solide që iu ka kushtuar studentëve dhe shpresojmë që këto ndihma të mos ndalen. Duke marrë parasysh rritjen enorme të çmimeve, për ne janë të papërballueshme. I bëj thirrje Qeverisë të mendojë më shumë për studentët. Duhet të mendojmë më shumë në këtë aspekt, pasi studentët janë e ardhmja e vendit. Këtë 100 euro do ta shpenzojë për literaturë dhe për shpenzime teknologjike, pasi na duhet për praktikë. Për faktin se në drejtimin tim mungon infrastruktura për praktikë, na duhet që ne të ndjekim kurse private”, ka thënë Murati në “SOT” të KTV-së.

E Festim Tasholli nga Parlamenti Studentor ka thënë se ndarja prej 100 euro është ndihmë e madhe, por jo e mjaftueshme. Ai bëri thirrje që një shumë e tillë të ndahet çdo muaj për studentët.

“Do jetë një ndihmë e madhe për studentët, por nuk është zgjidhja e duhur. Pozita e studentit në Kosovë në krahasim me vendet e rajonit është më e dobët dhe ka nevojë për përkrahje më të madhe. Edhe kjo ndihmë, sado e vogël që është, do t’i ndihmojë shumë studentët. Shuma 100 euro do të ishte e mjaftueshme nëse iu jepet studentëve çdo muaj, siç ndodh në disa vende të rajonit”, ka thënë Tasholli, i cili ka lavdëruar vendimin e Qeverisë për lirim nga pagesa të semestrit për studentët në bachelor dhe master.

Qeveria të martën vendosi për ndarjen e 100 eurove shtesë në muajin prill për përfituesit e skemave sociale, punëtorët e sektorit publik dhe privat, dhe për studentët.