Arbëri

Nga 100 euro për rreth 800 mijë qytetarë

Descriptive Text

Pensionistët, përfituesit nga skemat sociale dhe të punësuarit në sektorin publik, brenda muajit do të arkëtojnë nga 100 euro si ndihmë nga një masë e vendosur të martën nga Qeveria. Përfitues të së njëjtës do të jenë edhe punëtorët e sektorit privat dhe studentët, por distribuimi i mjeteve për ta do të bëhet pas aplikimit. Kjo pako prej 100 milionë eurosh është kritikuar nga Sindikata e sektorit privat e nga njohës të ekonomisë

Qeveria e Kosovës ka prezantuar pakon prej 100 milionë eurosh, nëpërmjet së cilës sigurohet ndihmë prej 100 eurosh për pensionistë, punëtorë të sektorit privat e publik, studentë dhe për përfituesit e skemave sociale. Sipas kryeministrit Albin Kurti, nga kjo pako pritet që të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë.

Në konferencë për media, Kurti ka thënë se krahas këtij përfitimi që do ta ndiejë secila familje, do të shpërndahen edhe mbi 40 mijë pako ushqimore për shtresat e cenueshme të shoqërisë.

“Nga mbështetja do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension bazik, pension kontribut pagues, pension të veteranit e kështu me radhë. Për herë të parë do të mbështesim prej 100 eurosh të gjithë punëtorët e sektorit privat. Pra, rreth 300 mijë punonjës. E në kuadër të mbështetjes për të punësuarit do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 eurosh edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publikë”, ka theksuar Kurti.

Me nga 100 euro do të mbështeten edhe 80 mijë studentë.

“Për herë të parë gjithashtu të gjithë studentët e Republikës do t’i përkrahim me një shumë të menjëhershme prej 100 eurosh. Nga kjo mbështetje do të përfitojnë rreth 80 mijë studentë. Për shtresat më të cenueshme të shoqërisë veçse kemi filluar zbatimin e programit për shpërndarjen e mbi 40 mijë pakove ushqimore. Ndërkaq do të vazhdojmë mbështetjen për ofrimin e shujtave përmes kuzhinave popullore”, ka thënë Kurti.

Ndërsa ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka treguar kohën se kur do të dalin shtesat prej 100 eurosh në llogarinë e pensionistëve, punëtorëve dhe studentëve.

“Në radhë të parë do të jenë pensionistët të cilët do ta marrin këtë mbështetje shtesë me pensionin e radhës që pritet të shpërndahet në fund të kësaj jave. Pastaj do të jenë edhe pagat e sektorit publik për të cilët i kemi të dhënat dhe do të shpërndahen në fund të muajit, kurse për punëtorët e sektorit privat dhe për studentët gjatë ditëve në vijim do të hapim procesin e aplikimit, meqenëse për ta nuk kemi të dhënat e llogarive bankare për t’i transferuar mjetet”, ka theksuar Murati.

Kësisoj, pensionistët, përfituesit nga skemat sociale dhe të punësuarit në sektorin publik brenda muajit do të arkëtojnë nga 100 euro. E për punëtorët e sektorit privat dhe studentët, distribuimi i mjeteve do të bëhet pas aplikimit.

Kjo pako është kritikuar nga Sindikata e sektorit privat.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, kjo politikë është bërë shkaku i presioneve sindikale, por që, sipas tij, nuk i zgjidh problemet e punëtorëve.

“Nuk është mirë dhe nuk është e mundur që t’i ndahen 100 euro një punëtori që merr pagën 200 euro dhe të ndahen edhe për një pronar të kompanisë, i cili merr ndoshta 2 mijë e 3 mijë e ndoshta më shumë. Dhe e kemi një problem tjetër që rreth 50 për qind e punëtorëve nuk do t’i gëzohen këtij subvencionimi, pasi ata janë të paregjistruar dhe është normale që të mendonte si mekanizëm”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, nga një përllogaritje që është bërë, me 100 euro për një familje 4-anëtarëshe do të mbulonin shpenzimet për 4 ditë.

Vendimi është kritikuar edhe nga Agron Demi, analist i politikave në Institutin GAP. Sipas tij, kërkesat populiste për paga e pensione nuk zmbrapsen me vendime po aq populiste.

“Nëse Qeveria ka synim që t’iu ndihmojë grupeve të cenuara shoqërore për shkak të çmimeve, përse me i futë të gjithë me një thes? Pse me i marrë 100 euro si ata 2% e punëtorëve që kanë paga shumë të larta, si ata që luftojnë për rritje të pagës minimale? Përse me marrë subvencionim të njëjtë si studentët që banojnë në konvikte, si studentët që shkojnë në ligjërata me Range Rover?”, ka shkruar Demi në llogarinë e tij në Facebook.

Qeveria pritet që të mërkurën të miratojë edhe Projektligjin që do t’i hapë rrugë rritjes së pagës minimale në 250 euro neto dhe heqjen e tatimit për 250 euro pagë.