Arbëri

Komunat thonë se pa ndërhyrjen e Qeverisë nuk zgjidhet problemi me qentë endacakë

Descriptive Text

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se pa ndërhyrjen e niveli qendror çështja me qentë endacakë nuk do të zgjidhet.

Sulmet e qenve endacakë janë shpeshtuar kohëve të fundit, veçanërisht në Prishtinë. Por Ibrahimi ka thënë se kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, edhe po ta bëjë ndonjë mrekulli për qentë endacakë, nuk mund ta zgjidhë problemin pa ndihmën e Qeverisë.

“Gjitha komunat e kanë shqetësimin e njëjtë. Përmes AKK-së e kemi hartuar një dokument, i përkrahur nga Ambasada amerikane, për trajtimin e qenve endacakë. Trajtimi i tyre nuk mund të bëhet në mënyrë parciale nga komunat veç e veç. Trajtimi në mënyrë parciale nga komunat nuk ka sjell rezultat. Ky fenomen duhet të trajtohet nga niveli qendror, komunat nuk mund të trajtojnë këtë problem veç e veç. Numri i qenve endacakë ka pasur rënie, por në kohën e shumimit ata shtohen. Mekanizmat që kontraktohen nga komunat, po i marrin qentë endacakë po i dërgojnë në ato komuna ku përshembull i kanë trajtuar qentë endacakë, pastaj problemi prapë po rikthehet. Qeveria duhet të marrë përsipër këtë fenomen në secilën komunë. Nëse nuk ka qasje në të gjithë komunat menjëherë, nuk besoj se do të ketë zgjidhje. Kryetari i Prishtinës edhe të bëjë mrekulli, do ta shihni se nuk mund ta rregullojë problemin pa ndihmën e niveli qendror. Nuk duhet të shpallim gjendje emergjente, por vetëm ta trajtojmë dokumentin që e kemi në fuqi. Të bëhemi bashkë niveli lokal e qendror”, ka thënë Ibrahimi në “60 Minuta” të KTV-së.

Ibrahimi ka thënë se AKK-ja nuk është e kënaqur me punën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila i ka kompetencat për trajtimin e qenve endacakë.

“Kryetarët e komunat në fund të vitit të kaluar nuk kanë qenë të kënaqur me AUV-in. Kanë kërkuar që niveli qendror ta bartë përsëri këtë proces. Ka qenë i planifikuar ndërtimi i shtatë strehimoreve rajonale, por AUV-i asnjëherë s’i ka ndërtuar”, u shpreh ai.

E punëtori i Grupit KOHA, Fidan Imeri, i cili e përjetoi tragjedinë e sulmit nga qentë endacakë, tregoi se si policia i ka thënë se po ta vriste qenin në vetmbrojtje, ai do të dërgohej në mbajtje.

“Pas sulmit, institucionet përkatëse më kanë pritur shumë mirë. Tretmanin mjekësor e pata shumë të mirë, edhe Policia më trajtoi mirë. Gjatë bisedës, e pyeta një polic se çka nëse do ta vrisja një qen, ai më tha se do ta thërriste prokurorin dhe do të dërgoheshe në mbajtje. Nuk jam kundër kafshëve, por ku është faktori njeri në këtë rast”, ka thënë Imeri.