Arbëri

Ibishi: BIA ka pasur detyra në aspektin e furnizimit dhe pranimit të refugjatëve

nuredin ibishi, gjykata speciale, dhomat e specializuara, salih mustafa, 12 prill

Nuredin Ibishi është dëshmitari i nëntë i mbrojtjes së Salih Mustafës që të martën në Hagë ka treguar se detyra e BIA-së ka qenë të veprojë në zonat urbane në aspektin e furnizimit për përgatitjet të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në zonën operative të Llapit për çështje të shëndetësisë, të logjistikës dhe pranim të refugjatëve.

Ai tha se në vitin 1999 e ka ditur që udhëheqës i BIA-s ishte Salih Mustafa, por që nuk e ka njohur.

Ibishi tregoi se në Zllash ka qenë në maj të vitit 1999 para nisjes për transportim të të plagosurve drejt Maqedonisë, por që më herët nuk ka qenë asnjëherë në këtë fshat.

Ndërsa, i pyetur nga avokati Betim Shala se a ka pasur kontakte me pjesëtarët e njësisë BIA, dëshmitari Ibishi tregoi për një rast në vitin 1998 të cilit i është dashur ndihmë mjekësore, derisa tha se në rastet tjera për furnizime, këtë e kanë bërë udhëheqësit e njësive që kanë qenë në kuadër të brigadës. Dhe më pas deklaroi se ka takuar edhe një pjesëtar të BIA-së nga mesi i qershorit 1999.

Dëshmitari Ibishi u shpreh se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i është bashkuar në fund të qershorit të vitit 1998, por që edhe më herët ka qenë i angazhuar në lëvizjen për formimin e UÇK-së.

Ai më pas ka vazhduar t’u përgjigjet pyetjeve të avokatit, Betim Shala i cili kërkoi të di më shumë rreth formimit të brigadave 151. 152. 153 dhe statusin që ka pasur njësiti BIA.

“Policia ushtarake ka pasur kompetencën sikurse policia e rregullt të mund të bëjë ndalimin e personit në kohën e caktuar brenda kohës që është paraparë në rregullore [...]nuk ka qenë detyrimisht që unë të njoftohem lidhur me zbatimin e rregullores disiplinore nëse dikush prej ushtarëve ka bërë shkelje ndoshta e ka bërë në raportin e përgjithësuar por tash nuk ka qenë e thënë që menjëherë të lajmëroj komandantin e brigadës për një shkelje çka mund të jetë e nivelit të ulët minore”, deklaroi ai.

Dëshmitari, Ibishi u shpreh se ka ndodhur raste kur mbrojtja civile për keqbërës ka ftuar edhe Policinë ushtarake për raste të caktuara.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafës.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte./KSP/