Arbëri

Gjermania ka filluar verifikimin e patentë shoferëve të Kosovës

Gjermania ka filluar verifikimin e patentë shoferëve të Kosovës

Gjashtë misionet konsullore të Kosovës në Gjermani: në Berlin, Düsseldorf, Frankfurt, Hamburg, Mynih dhe në Stuttgart kanë filluar verifikimin e patentë-shoferëve për shtetasit e Kosovës, për marrjen e patentë-shoferëve në procedurë të rregullt në Kosovë.

Sipas njoftimit të ambasadës, pas verifikimit, do të lëshohet një vërtetim përmes të cilit dëshmohet marrja e patentë-shoferit në procedurë të rregullt në Kosovë dhe i cili do të kushtojë 20 euro.

Gjermania ka votuar pro njohjes së patentë shoferëve të Kosovës më 11 shkurt të këtij viti, ndërkohë marrëveshja ka hyrë në fuqi më 27 mars.

Marrëveshja mundëson njohjen e pothuajse të gjitha kategorive të patentave nga Kosova në Gjermani. Rregullorja e re vlen vetëm për personat që kanë një vendbanim të rregullt në Gjermani dhe që e kanë bërë patentën përpara se të shkonin atje.

Njoftimi i plotë i Ambasadës së Kosovës në Gjermani, pa ndërhyrje:

Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për njohjen e patentë shoferëve të Republikës së Kosovës në Gjermani dhe nënshkrimit të saj, me datë 6 prill 2022 nga ana e Ministrit të Brendshëm të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla dhe Sekretarit të Shtetit në Ministrinë Federale për Transport dhe Digjitalizim të Gjermanisë, z. Oliver Luksic, ka filluar tashmë procesi i konvertimit të patentë shoferëve në të gjitha landet gjermane.

Andaj, me qëllim të përshpejtimit të procesit të verifikimit të patentë shoferëve, dëshirojmë t`ju informojmë se, gjashtë misionet konsullore të Republikës së Kosovës në Gjermani (përkatësisht në Berlin, në Düsseldorf, në Frankfurt, në Hamburg, në München dhe në Stuttgart), kanë filluar verifikimin e patentë shoferëve për shtetasit e Kosovës, konkretisht lëshimin e vërtetimeve përmes së cilëve vërtetohet marrja e patentë shoferëve në procedurë të rregullt në Kosovë.

VËNI RE: Në rast se qytetarët aplikojnë për konvertim të patentë shoferit tek institucionet kompetente gjermane (Führerscheinstelle), atëherë ky verifikim bëhet përmes komunikimit zyrtar (me e-mail) ndërmjet dy institucioneve kompetente (Führerscheinstelle dhe misionit konsullor). Këtë shërbim misionet konsullore e kryejnë pa pagesë.

Ndërsa, qytetarët të cilët dëshirojnë të pajisen paraprakisht me vërtetim, atëherë misionet konsullore të Republikës së Kosovës do të lëshojnë një vërtetim të tillë, përmes të cilit dëshmohet marrja e patentë shoferit në procedurë të rregullt në Kosovë. Për këtë shërbim duhet paraprakisht të bëni termin në misionet konsullore. Lëshimi i këtij vërtetimi do të kushtojë 20 €.

Për çdo informacion shtesë, mund t`i kontaktoni njërën nga misionet konsullore më të afërta:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin/Shërbimi Konsullor

Tel: +49 30 240 476 90

consulate.berlin@rks-gov.net

Konsullata e Përgjithshme në Düsseldorf

Tel: +49 211 54 222 222

consulategeneral.dus@rks-gov.net

Konsullata e Përgjithshme në Frankfurt

Tel: +49 69 271 339 20

consulate.frankfurt@rks-gov.net

Konsullata e Përgjithshme në Hamburg

Tel: +49 40 399 089 901

consulategeneral.ham@rks-gov.net

Konsullata e Përgjithshme në München

Tel: +49 891 598 617 20

consulategeneral.munich@rks-gov.net

Konsullata në Stuttgart

Tel: +49 711 627 6770

consulate.stuttgart@rks-gov.net