Arbëri

Kufizimi i eksporteve nga fqinjët shkakton mungesë produktesh në Kosovë

Descriptive Text

Foto: Ilustrim

Serbia ka ndaluar eksportimin e grurit, e Maqedonia e Veriut të lulediellit. I pari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, ka theksuar se kostoja e jetesës në Kosovë po ndikohet nga vendimet e shteteve fqinje. Vendimet e fqinjëve, Rukiqi i ka cilësuar kundër frymës së bashkëpunimit rajonal

Pas ngritjes së çmimeve bazë për produktet esenciale, Kosova rrezikon të mbetet fare pa to.

Alarmin e ka dhënë para pak ditësh drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha.

“Përveç ngritjes së çmimeve, kemi një tjetër problem, i cili është më shqetësues, do të ketë mungesë të produkteve. Vetëm po përballemi me mungesë të produkteve, pasi shumë shtete që janë prodhuese e kanë ndaluar eksportin”, ka thënë Panxha.

Serbia e ka pezulluar eksportin e grurit, ndërkaq Maqedonia e Veriut atë të lulediellit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në një përgjigje me shkrim ka treguar se Maqedonia e Veriut e ka pezulluar eksportin e lulediellit deri më 31 maj.

“Qeveria e Maqedonisë në mbledhjen e 24-t, ka miratuar Vendimin për kufizimin e eksportit të vajit të lulediellit për shkak të çrregullimeve serioze në tregun vendor”, thuhet në përgjigjen e MINT-it.

Vendimet e Serbisë dhe Maqedonisë të Veriut, kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, i ka cilësuar kundër frymës së bashkëpunimit rajonal.

“Edhe Maqedonia si dhe vendet e tjera që bëjnë këso politikash, duhet ta kenë parasysh që raportet ekonomike janë afatgjate dhe vendimet e tilla i dëmtojnë këto raporte, për më shumë e bëjnë më të vështirë bashkëpunimin në të ardhmen”, ka thënë Rukiqi.

I pari i Odës Ekonomike po ashtu ka theksuar se kostoja e jetesës në Kosovë po ndikohet nga vendimet e shteteve fqinje.

“Ne tani po vërejmë rritje të çmimeve të produkteve bazë, pikërisht të disa produkteve të cilat importohen sidomos nga Maqedonia dhe realisht kjo po e ndikon edhe koston e jetesës në vend”, ka deklaruar ai.

Çrregullimi i tregut vlerësohet se ka ardhur si rezultat i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, ku dy shtetet e përfshira eksportojnë rreth 30 për qind të grurit në shkallë globale.

E për të mbuluar nevojat e brendshme ka nisur kufizimi i eksportit. Mbi këtë këto zhvillime, Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve, ka thënë se Kosova nuk ka kapacitete që t’i mbulojë nevojat e brendshme, duke e përfshirë grurin dhe lulediellin.

“Kosova nuk ka kapacitet për t’i mbuluar nevojat e veta me grurë e luledielli”, ka deklaruar ai.

Një pjesë të fajit, sipas tij, e mbajnë keqpërdoruesit e subvencioneve të tokave bujqësore.

“Fatkeqësisht në të kaluarën jo që nuk është investuar sa duhet, mjetet kanë qenë. Por ato mjete janë keqpërdorur, më shkurt e shqip, janë vjedhur”, ka shtuar Panxha.

Dhënia e subvencioneve është detyrë e institucioneve shtetërore. Por, jo edhe ndërhyrja në treg, pasi në bazë të Kushtetutës së Kosovës, neni 10, Kosova definohet si ekonomi e tregut.

Megjithatë, në kohë krizash stimulohet ndërhyrja e tregut për të shpëtuar furnizimin me produkte.

Kryetari i Odës Ekonomike, Rukiqi, ka potencuar se shteti i ka disa mekanizma që nuk i ka përdorur.

“Ende ka kohë të përdoren. Një pjesë e akzicës, një pjesë e TVSH-së për disa produkte së paku për një periudhë të caktuar, duhet të suspendohen”, ka pohuar Rukiqi.

Sipas tij, çdo importim i produkteve esenciale jashtë vendeve të rajonit do të ndikojë në rritjen e mëtejme të çmimeve.

Kosova, gjatë vitit 2021, ka importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia.

Si treg alternativ, Ministria e Tregtisë e ka parë edhe grurin amerikan në rast se paraqitet nevoja.

“Duke filluar me një kërkesë në Ambasadën amerikane që të vendosemi në listë për të importuar grurë, kemi marrë përgjigje pozitive që mund të jemi një prej blerësve nëse ka nevojë”, ka thënë ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari më 29 mars gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi.

Përpos shtrenjtimit të çmimeve për produktet esenciale, ngritje kanë shënuar shumë edhe karburantet.